Pas lajmit se Papa Françesku ia bëri ‘like’ fotos së modeles braziliane, Vatikani i kërkon shpjegime Instagramit
Vatikani i ka kërkuar shpjegime Instagramit pasi profili zyrtar i Papa Françeskut i ka bërë “like” një fotoje të një modeleje braziliane shumë pak të veshur.
Në 13 nëntor pëlqimi ishte ende i dukshëm, ndërsa në 14 nëntor fotoja u bë “dislike”, sipas Catholic News Agency (CNA).
Modelja Natalia Garibotto, e cila ka 2,4 milionë ndjekës në Instagram, tha me shaka se Papa i ka “dhënë bekimin zyrtar” dhe shtoi se kjo nënkuptonte se “do të shkonte në Parajsë”.
Duke cituar burime pranë Zyrës së Shtypit të Vatikanit, CNA thotë se hetimi ka nisur për të kuptuar se si është bërë “like” ajo foto.
Rrjetet sociale të Papës menaxhohen nga një grup njerëzish dhe një zëdhënës i Vatikanit tha për “The Guardian” se përjashtohet çdo mundësi që pëlqimi i fotos të ketë ardhur nga vetë Ati i Shenjtë.