Qindra mësimdhënës dhe nxënës me COVID-19: Në MASH tregojnë se a do të ndërpritet mësimi
Aktualisht në Kosovë 35 shkolla janë mbyllur. Këto shkolla si shkak i nxënësve apo mësimdhënësve të infektuar me COVID-19, janë duke organizuar mësimin në skenarin C. Kurse, nga fillimi i shtatorit e deri tash 359 mësimdhënës janë infektuar, 64 prej tyre janë të shëruar. Ndërsa të infektuar janë edhe 240 nxënës, ku deri tani janë shëruar 58.
Numri me të infektuar me COVID-19 në vend vazhdon të jetë i lartë në Kosovë. Statistikat vendore të institucioneve shëndetësore paraqesin shqetësim nga të dhënat me infeksione.
COVID-19 ka prekur po thuajse të gjithë sektorët e shtetit. Bazuar në këto të dhëna, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë një varg masash në parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Në disa komuna u vendos edhe ora policore ku edhe u ndërprenë të gjitha veprimtaritë ekonomike. Po ndalesa të tilla nuk pati për arsimin e ulët përveç atij të lartë për të kaluar në sistemin online, shkruan FaktePlus
Por në fakt cilat janë të dhënat me COVID-19 në shkollat e Kosovës.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bëjnë të ditur se numri i lartë i infeksioneve nëpër shkolla është shqetësues.
Ndonëse pati hezitime për fillimin e vitit të ri shkollor si pasoj e pandemisë, në këtë dikaster janë qindra mësimdhënës dhe nxënës të infektuar.
Nga MASH për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus kanë bërë me dije se nga fillimi shtatorit, në të gjitha komunat janë 359 mësimdhënës të infektuar ku 64 prej tyre janë të shëruar. Ndërsa të infektuar janë edhe nxënësit ku nga kjo kohë janë 240 nxënës të infektuar e një numër i vogël rezulton i shëruar, 58 gjithsej.
Në anën tjetër sipas të dhënëve të MASH, të infektuar janë edhe personeli tjetër. Nga ministria e arsimit bëjnë të ditur se 35 persona të statfit teknik nëpër shkolla janë të infektuar dhe janë shëruar 13 prej tyre.
Diellza Kukaj, këshilltare politike e ministrit të arsimit, Ramë Likaj, për FaktePlus ka thënë se shkollat nuk janë duke u mbyllur por që disa janë duke kaluar në mësim online si shkak i numrit me infeksione të nxënësve apo personelit mësimdhënës.
“ Deri me tani shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh përorganizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokolin e reagimit ndaj pandemisë covid19. Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe aj nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B. Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokolit të reagimit ndaj covid 19, së bashku me të gjitha dokumentet tjera”, ka thënë Kukaj.
Kukaj po ashtu ka treguar se 35 shkolla në krejt vendin kanë kaluar në mësim online. Këto shkolla si shkak i nxënësve apo mësimdhënësve të infektuar, janë duke organizuar mësimin në skenarin C.
35 shkolla në Kosovë kalojnë në mësim online:
Prishtinë 16 shkolla,
Vushtrri 6 shkolla
Lipjan 1 shkollë
Viti 1 shkollë dhe 1 çerdhe publike
Obiliq 2 shkolla
Decan 2 shkolla
Novo Bërdë 1 shkollë
Skënderaj 1 shkollë
Fushë Kosovë 2 shkolla
Gjakovë 1 shkollë
Drenas 1 shkollë
Në anën tjetër nga kjo ministri kanë pohuar se mësimi nuk do të ndërkrehet. Kukaj thekson se gjendja është stabile dhe se po monitorohet nga Inspektorati i Arsimit. Ajo tutje thotë se për çdo ditë pranojnë raportet nëpër shkollat nga inspektoriati dhe IKSHPK-ja.
“Ndërkaq në pjesën tjetër mësimi po organizohet sipas skenarit A dhe skenarit B (sipas vendimit të ministrit për fillimin e vitit shkollor. Inspektorati i arsimit është në terren duke monitoruar gjendjen në shkolla në baza ditore, dhe duke përcjell formen e organizimit të mësimit në shkolla dhe zbatueshmërinë e udhezuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pademie; të njejtat raporte nga inpektorati MASh i pranon çdo ditë”, ka thënë ajo.
Që nga 13 marsi kur u konfirmuan rastet e para me virusin SARS CoV-2 e deri më sot, janë konfirmuar 29 mijë e 117 raste nga 118 mijë e 946 persona që janë testuar.
Përveç numrit të rasteve pozitive, javëve të fundit ka pasur edhe rritje të rasteve të vdekjeve. Deri më tani numri total i rasteve që kanë humbur jetën nga COVID-19 ka arritur në 822.
Por pavarësisht kësaj kemi edhe një numër të lartë të personave që janë shëruar.
Sipas të dhënave na Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, deri më sot numri i të shëruarve është 17 mijë e 305 raste.
Ndërkaq raste aktive me virusin SARS CoV-2 mbeten 10 mijë e 990.
Kujtojmë se të premten e kaluar kanë hyrë në fuqi masat e reja nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit.
Sipas këtij vendimi Qeveria ka ndarë komunat në tri kategori sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit.
Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të gjelbër);
Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë);
Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe). /FaktePlus/.