Austria i kthehet izolimit të plotë
Austria ka vendosur masën e izolimit mbarëkombëtar në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë e COVID-19. Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, u ka kërkuar austriakëve, që të mos takojnë askënd jashtë shtëpisë së tyre, në një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të rasteve me koronavirusin e ri.
Ai tha që shkollat do të mbyllen dhe studentët do të mësojnë nga shtëpia duke filluar nga dita e martë, kur masat e reja do të hyjnë në fuqi. Të premten, Austria raportoi një numër rekord prej 9.586 të infektuar me koronavirusin e ri.
Kjo shifër ishte nëntë herë më e lartë se në kulmin e valës fillestare më parë këtë vit. Vendi ka regjistruar më shumë se 191.000 raste, që nga fillimi i pandemisë dhe 1.661 vdekje të lidhura me COVID-19. Deri më 6 dhjetor, sa është paraparë të zgjasin masat e reja, të gjitha dyqanet jo-thelbësore do të duhet të qëndrojnë të mbyllura. Të gjithë qytetarëve u është thënë, që nëse ua lejojnë kushtet, të punojnë nga shtëpitë.