Çka është ODKB-ja, aleanca ushtarake që do ta mbronte Armeninë në rast lufte të hapur
Armenia u përfshi në luftime me Azerbajxhanin që nga 27 shtatori për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, territor që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Luftimet u ndërprenë me ndërmjetësimin e Rusisë më 10 nëntor. Por, cila është përkrahja ushtarake që ka Armenia në rast se sulmohet brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht?
Armenia është pjesë e aleancës ushtarake ODKB, shkurtesë që rrjedh nga emërtimi në gjuhën ruse, “Organizatsiya Dogovora o Kollektivnoy Bezopasnosti”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Organizatë Traktati për Siguri Kolektive”.
Kjo aleancë është themeluar më 15 maj të vitit 1992. Fillimisht, anëtare të saj ishin Rusia, Armenia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Këto shtete e nënshkruan të ashtuquajturin Pakti i Tashkentit. Një vit më vonë, kësaj organizate iu bashkuan edhe Azerbajxhani, Bjellorusia dhe Gjeorgjia, ndërsa traktati hyri në fuqi më 1994.
Sidoqoftë, numri i vendeve anëtare në këtë aleancë ka ndryshuar gjatë viteve. Azerbajxhani është tërhequr në vitin 1999 dhe nuk është më pjesë e saj. Në të njëjtin vit u tërhoq edhe Gjeorgjia, ndërsa Uzbekistani dy herë është tërhequr, herën e parë më 1999 dhe herën e dytë më 2012, pasi ishte rikthyer më 2006.
Selia e aleancës ODKB është në Moskë të Rusisë. Sekretar i përgjithshëm i saj është Stanislav Zas, gjeneral nga Bjellorusia.
Vendet anëtare të kësaj organizate nuk kanë të drejtë të anëtarësohen në aleanca tjera ushtarake apo grupe tjera shtetesh, ndërsa sulmi ndaj njërës anëtare të saj cilësohet si sulm ndaj të gjitha anëtareve të tjera.
Kështu, në rast se Armenia sulmohet brenda territorit të saj nga Azerbajxhani apo nga ndonjë shtet tjetër, vendet anëtare të ODKB-së do t’i ofronin përkrahje të menjëhershme ushtarake. Rusia është vendi më i fuqishëm i kësaj aleance dhe tashmë ka ndërmjetësuar në armëpushimin mes dy palëve të konfliktit. Pavarësisht se ka raporte shumë të ngushta me Armeninë, Rusia ka marrëdhënie të mira edhe me Azerbajxhanin, me të cilin bën tregti të konsiderueshme me armë.