Trump e fiton Karolinën e Veriut
Presidenti amerikan Donald Trump ka fituar 15 votat elektorale në Karolinën e Veriut, pas një gare të fortë në këtë shtet federal me Joe Biden. Me këtë fitore, republikanët e mbajnë këtë bastion, që llogaritet në mesin e shteteve kyçe apo përcaktuese në zgjedhjet presidenciale.
Trump tani ka 232 vota elektorale, ndërkaq Biden, i cili është shpallur fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit, ka tashmë 290 vota elektorale, duke korr sukses në shtetet ku Trump kishte fituar më 2016, në Pensilvani, Miçigen, Uiskonsin dhe Arizonë.
Trump kishte bërë fushatë intensive në Karolinën e Veriut, me tubime në pikun e pandemisë, duke përfshirë tubimet në Fayetteville, Winston-Salem dhe Greenville, disa javë para zgjedhjeve.
Ai kishte planifikuar që të mbante Konventën e Republikanëve në këtë shtet, por u tërhoq pas përplasjes verbale me guvernatorin demokrat, i cili kishte vendosur kufizime për shkak të koronavirusit.
Ndryshe nga mediat e tjera, Associated Press, ende nuk e ka projektuar fituesin në shtetin federal të Xhorxhias, ku të premten ka nisur rinumërimi me dorë i të gjitha votave.
Nga numërimi paraprak, presidenti i zgjedhur Joe Biden, ka një epërsi të ngushtë edhe në Xhorxhia ndaj presidentit Donald Trump.