Kampi i Bidenit i gatshëm për betejë ligjore me Trumpin
Kampi i kandidatit Demokrat për president të SHBA-së, ka thënë se e ka ekipin ligjor në gatishmëri nëse Donald Trump nëpërmjet gjykatës tenton ta ndalë numërimin e votave, raporton CNN.
“Nëse presidenti e çon vërtetë para atë kërcënim për të shkuar në gjykatë për të parandaluar numërimin e votave, ne kemi ekipet ligjore që janë në gatishmëri për t’i rezistuar këtij tentimi”, ka thënë menaxherja e fushatës së Bidenit, Jen O’Malley Dillon.
Dillon e ka quajtur deklaratën e Trumpit, i cili ka akuzuar për mashtrim dhe ka kërcënuar të shkojë në Gjykatën Supreme për të ndaluar numërimin, si skandaloze.
“Deklarata e sotme e presidentit për ndalimin e votimeve është mizore, e paprecedent dhe jokorrekte. Është mizore pasi është një tentim për të marrë të drejtën demokratike të qytetarëve amerikanë”, ka thënë ajo, duke shtuar se numërimi do të vazhdojë.