Kronologjia e terrorit në Vjenë, viktima e të plagosur, ushtri në rrugë /FOTO
Sulmi ishte i koordinuar në 6 pika të ndryshme, ndërsa bilanci është disa viktima, numri akoma i pakonfirmuar zyrtarisht nga autoritetet dhe shumë të plagosur, të paktën 15.
Në Vjenë mbizotëron kaosi. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë, pasi ende nuk janë neutralizuar të gjithë terroristët, ndërsa dyshohet se në një hotel mund të mbahen disa pengje.
Por theksojmë se informacionet e para janë kontradiktore. Gjithçka filloi në orën 20:00 e koordinuar. Goditja e parë u dha pranë një sinagoge. “50 të shtëna u dëgjuan në mes të rrugës pranë sinagogës. Zjarri erdhi nga një mitraloz” tha një qytetar i terrorizuar.
Njëri nga autorët u vra nga agjentët, njëri hodhi veten në erë, ndërsa një tjetër u arrestua. Fillimisht u raportua se mes viktimave ishte edhe një efektiv policie nga përballja me terroristët.
Europa shprehu solidaritetin në këto momente të vështirë që po kalon, ndërsa Austria vendosi që të nxirrte ushtrinë në rrugë. Mbrëmja e sotme është nga më të tmerrshmet e kaluara nga austriakët.