LDK-ja e ngriti ndër vite Hashim Thaçin në fron
Nga Mehdi Mulaj
Njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi, njëherësh kritik i ashpër i saj, e ka fajësuar këtë parti, duke thënë se politika e saj e gabuar e ka ngritur në fron presidentin aktual Hashim Thaçi, i cili tash po ngre tema të çuditshme kundër kushtetuese. Buxhovi gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se LDK-ja pasluftës nuk ka qenë në gjendje të transformohet nga një lëvizje politike në parti politike.
“Kam qenë kritik ndaj sjelljes së LDK-së si parti politike nga fillimet, pra nga koha e vendosjes së protektoratit, kur kjo parti, bashkë me të tjerat, është futur në jetën parlamentare në përputhje me rrethanat që ka krijuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së, ngaqë LDK nuk ia ka dalë që të transformohet nga Lëvizja Politike, siç ishte nga themelimi e deri më 12 qershor 1999, në parti politike, që duhet të garojë në jetën parlamentare dhe të sillet në përputhje me përgjegjësitë që diktojnë këto rrethana”, ka thënë Buxhovi për FaktePlus.
Kritikat e tij janë edhe për kohën sa ishte gjallë lideri historik i LDK-së, ish-presidenti Ibrahim Rugova. Sipas tij, gabimi i Rugovës ishte se pas luftës ua dha besimin njerëzve kishin bartur barrën gjatë rezistencës institucionale dhe jo intelektualëve dhe njerëzve që i kërkonte koha.
“Kritika ime ndaj LDK-së ka të bëjë me sjelljen e saj si parti politike gjatë kohës së protektoratit, duke përfshirë këtu edhe kohën e Rugovës dhe sjelljen e tij ndaj këtij realiteti, për të cilën mund të thuhet se në pushtetin komunal dhe atë vendor në vitet 2000 dhe 2001, u dha besimin aktivistëve që kishin bartur barrën gjatë rezistencës institucionale dhe jo atyre që kërkonin rrethanat e reja (intelektualëve, ekspertëve dhe të rinjve që mund ta merrnin përsipër timonin e shtetndërtimit)”, ka shtuar ai.
Buxhovi vazhdon të jetë kritik i LDK-së për kohën pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Politika e saj e fokusuar te aktivistët dhe aktivizmi ka çuar deri te lufta e brendshme për pushtet në LDK, e cila u kthye në poligon të disa feudeve.
“Kam qenë kritik, po ashtu, edhe për kohën pas vdekjes së presidentit Rugova, dhe vazhdoj të jem edhe më kritik, ngaqë mbështetja tek aktivistët dhe aktivizmi solli te një luftë e brendshme për pushtet, që dihet si përfundoi, ndërkohë që LDK u kthye në poligon të disa feudeve, të shumtën me prirje kriminale, që edhe sot e gjithë ditën këtë parti e mbajnë peng dhe me këtë edhe skenën politike të Kosovës, që pa një LDK jashtë këtyre dobësive, nuk mund të ketë normalitetin e vet”, ka thënë tutje ish-themeluesi i LDK-së, Jusuf Buxhoni për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Megjithatë kritikat ndaj Rugovës, Buxhovi thotë se po të ishte gjallë nuk do të ndodhnin disa gjëra në LDK.
“Është pyetje hipotetike se si do të sillej LDK-ja po që se do të ishte Rugova gjallë. Megjithatë, duhet thënë se telashet e LDK-së, për të cilat fola më parë, kanë filluar edhe për të gjallë të Rugovës, dhe se, do të mund të vazhdonin, po që se edhe më tutje do të vazhdohej me mentalitetin e ‘lëvizjes’ në vend të partisë politike në garë për pushtet. Diçka që megjithatë do të mund të thuhej rreth kësaj çështje hipotetike, gjithsesi do të ishte ajo se partia nuk do të përçahej dhe ndahej siç ndodhi në vitin 2006”, vlerëson Buxhovi.
Sipas tij, të paktën nuk do të ndodhte gara e papastër mes Fatmir Sejdiut në njërën anë, dhe Nexhat Dacit në anën tjetër duke u thirrur në mbrojtjen e “frymës rugoviane”.
“Pra, nuk do të kishim garën e papastër për pushtet që u ndez nga rivalitetet joparimore dhe karrieriste midis Sejdiut në njërën anë, dhe Dacit në tjetrën anë, që nuk ishin tjetër pos luftë e feudeve të caktuara tashmë të krijuara brenda partisë për pushtet dhe assesi ‘për ruajtjen e frymës rugoviane’ siç thuhej herë nga njëra anë, e herë nga tjetra”, deklaron Buxhovi.
Përçarja e LDK-së, shton ai, ishte kurdisur nga jashtë, duke i krijuar hapësirë krimit të organizuar në jetën institucionale.
“Kujtoj se përçarja e partisë dhe tatëpjeta që i erdhi asaj, lidhet me këtë ‘garë’ të kurdisur nga jashtë për ta rrënuar LDK-në në mënyrë që t’i krijohet hapësira e duhur krimit të organizuar në jetën institucionale, që brenda një kohe të shkurtë u kthye në një kancer, për ç’gjë, drejtpërdrejt përgjegjësi banë edhe LDK-ja, qoftë pse nuk iu kthye parimeve bazë, qoftë pse një pjesë e mirë e liderëve të saj u bënë pjesë e krimit të organizuar”, thotë tutje Buxhovi në përgjigjen dhënë për FaktePlus.
Sa i përket idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, Buxhovi thotë se, po të kishim një LDK të hajrit, presidenti nuk do të shfaqte këso ide të çoroditura. Ai shton se LDK-ja është hipotekë e Thaçit.
“Hapja e temës së raporteve të Kosovës me Serbinë si dhe çështjet që sipas Thaçit, duhet të përfshijë ky far ‘normalizimi’, gjithsesi se nuk do të shfaqeshin të tilla (të çoroditura, antikushtetuese, antidemokratike e të tjera) po që se do të kishin një LDK të hajrit dhe jashtë hipotekës (së drejtë) të sjelljes së saj si ‘patericë’ e PDK-së dhe e Thaçit gjatë këtyre viteve të fundit”, ka shtuar ai.
LDK-ja sipas tij, para se ta zgjidhte Thaçin si president, do të duhej ta kujtonte ato që Thaçi ia kishte kurdisur ish-kryetarit të saj, Fatmir Sejdiu.
“Kjo hipotekë ka të bëjë veçmas me mënyrën e zgjedhjes së Thaçit për president që iu mundësua nga LDK-ja, që ndonëse ishte kusht i marrëveshjes së koalicionit LDK-PDK, duhej të kihej parasysh ato që Thaçi ia ishte kurdisur edhe Sejdiut gjatë marrëveshjes së parë të qeverisjes së përbashkët kur e kishte rrënuar njëanshëm qeverinë”, kujton Buxhovi.
Kritiku i LDK-së thotë se kjo parti është përgjegjëse për ngjitjen e Thaçit në fron për gjatë viteve.
“Pra, LDK mban përgjegjësi edhe kur Thaçi u bë kryeministër, dhe mban përgjegjësi kur Thaçi u bë president, ngaqë me ndihmën e saj ai u fuqizua dhe tash sillet në mënyrë fare të papërgjegjshme. Kujtoj se roli i LDK-së në këto rrethana tepër të ndërlikuara që krijoi presidenti me hapjen e kësaj teme, është që të pengohet aventura e tij nëpërmes jetës parlamentare në aleancë me të gjitha forcat që kanë këtë shqetësim, qofshin edhe brendapërbrenda pozitës, dhe po ashtu, të krijojë rrethana për zgjedhje të reja, në mënyrë që të ndryshojë raporti i forcave kur Thaçi mbikëqyr pozitën dhe opozitën!”, ka përfunduar Jusuf Buxhovi intervistën dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus.