Presidencialet në SHBA, hakerat grabisin 2.3 milionë dollarë që do shkonin për Trump
Një sulm kibernetik ka ndodhur kundër republikanëve në Uiskonsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Hakerat kanë arritur të grabisin 2.3 milionë dollarë nga llogaria e përdorur për të financuar fushatën e rizgjedhjes së presidentit Donald Trump.
Njoftimin e bëri kreu i partisë në këtë shtet, i cili shpjegoi se me 22 tetor ishte vënë re një ndërhyrje e dyshimtë. Ngjarja po hetohet nga FBI.
Republikanët ngrenë akuza duke pretenduar se grabitja i vendos ata në disavantazh financiar dhe se i pengon fushatën. Uiskonsin është një shtet mjaft i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale.
Trump e fitoi atë me vetëm 23 mijë vota diferencë në 2016-ën. Këtë vit pasiguria është shtuar edhe për shkak të trazirave me sfond racor që u regjistruan këtë vit si shkak i dhunë policore ndaj një personi me ngjyrë.