I mbijetuari i Holokaustit dhe djali i simpatizuesit të nazistëve bëhen shokë
Më shumë se shtatë dekada më parë, familjet e tyre u ndanë nga lufta dhe urrejtja – Koenraad Tinel, djali i një simpatizuesit të nazistëve, dhe Simon Gronowski, një i mbijetuar i Holokaustit që humbi nënën dhe motrën e tij në Auschwitz.
Tani të dy burrat, të dytë në të 80-at e tyre, kanë krijuar një miqësi të ngushtë mes veti, e cila është bërë simbol i pajtimit në Belgjikë.
“Koen dhe unë ishim dy fëmijë të dërmuar nga lufta që ne nuk e kuptuam”, tha Gronowsi, avokat dhe pianist i muzikës xhaz.
“Secili prej nesh ishte në anën e tij të gardhit – unë nga ana e viktimave, ndërsa ai në anën e xhelatëve”.
89-vjeçari Gronowski dhe 86-vjeçari Tinel, u takuan pasi botuan kujtime të përvojave të tyre të luftës. Ata u prezantuan me njëri tjetrin nga Union des Progressistes Juifs de Belgique në 2012.
“Më pyetën: A do pranoje të takohesh me djalin e një nazisti? Po, pajtohem. E çuditshme, por jam dakord”, ka thënë Gronowski. “Pak nga pak, u takuam dhe u njohëm më mirë”.
Muajin e kaluar, universitet e lira binjake të Brukselit – VUB që flet holandisht dhe ULB që flet frëngjisht – u dhanë të dy burrave doktoratura nderi për të njohur rëndësinë e lidhjes së tyre.
“Miqësia e tyre unike është një simbol i fuqisë së shpresës, lumturisë dhe paqes”, thanë universitetet në një deklaratë.
Gronowski nga Brukseli, ishte 11 vjeç kur nazistët e rrethuan atë me nënën e tij dhe hebrenjtë e tjerë belgë në një vagon treni. “Për mrekulli, unë kërceva nga treni dhe shpëtova”, tha ai.
Afërsisht në të njëjtën kohë, Tinel jetonte në Ghent. Vëllezërit e tij ishin ushtarë nazistë, ndërsa babai i tij artist skulpturonte buste të Adolf Hitlerit.
“Unë nuk mund të jem racist. Nuk mund të jem një nacionalist flaman. Nuk mund të jem një nacionalist belg. Unë jam njeri i botës”, tha ai për Reuters.
Tinel, vet skulptor, po e mban të hapur një ekspozitë në Bruksel deri më një nëntor. Punimet e tij, të frymëzuara nga paradat ushtarake të rinisë së tij, eksplorojnë temën se si frika i shtyn njerëzit të kryejnë mizori.
“Koenraad është më shumë se një mik, ai është vëllai im”, tha Gronowski, i ulur së bashku me Tinel në sallën e ekspozitës Tour&Taxis.
“Ne nuk ju sjellim mesazhin e pikëllimit, por mesazh shprese dhe lumturie. Unë u them të gjithëve: jeta është bukur, por është edhe një luftë e përditshme”.