Trump-Biden dhe beteja për shtetet e lëkundura
Kur kanë mbetur edhe nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, Presidenti republikan Donald Trump, sfiduesi i tij demokrat Joe Biden si dhe dy kandidatët për nënpresident, Pence dhe Harris, po përpiqen të inkurajojnë mbështetësit e tyre e të ndikojnë tek votuesit e pavendosur.
Zoti Trump zhvilloi tubime në shtete të vogla në verilindje të vendit si Nju Hempshër dhe Mein, numri i vogël i votave elektorale të të cilave mund të jetë vendimtar ne rast të një rezultati të ngushtë. Dy kandidatët për president po kërkojnë të sigurojnë një shumicë prej 270 votash nga Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh.
Në vitin 2016 zoti Trump humbi 4 votat elektorale të Nju Hempshërit me një rezultat të ngushtë ndaj demokrates Hillary Clinton. Por rreth katër vite më parë ai fitoi një nga katër votat elektorale të Meinit, atë të distriktit rural të tij dhe aktualisht është në një garë të ngushtë me zotin Biden për këtë zonë.
Ndërkohë, të dielën në mbrëmje ish-nënpresidenti Biden pritet të mbajë një fjalim virtual në një koncert të titulluar “Unë do të votoj”. Në një kohë kur presidenti Trump vazhdon të organizojë tubime të mëdha me mbështetësit e tij, shpesh në aeroporte, zoti Biden ka ndjekur një qasje më të matur për fushatën përballë epidemisë së koronavirusit. Ai është shfaqur në tubime të vogla, sikurse këtë të dielë, ose përmes transmetimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet internetit.
Nënpresidenti Mike Pence, gjithashtu ka marrë pjesë në tubime elektorale dhe planifikon një paraqitje të dielën në mbrëmje në Kinston të Karolinës së Veriut, një tjetër shtet fushëbeteje, ku dy rivalet janë në një garë të ngushtë me njëri-tjetrin.
Zoti Trump e fitoi këtë shtet në vitin 2016, por këtë herë sondazhet tregojnë zotin Biden në një avantazh të ngushtë ndaj tij.
Senatorja demokrate Kamala Harris, kandidate për nënpresidente, ndodhet në një tjetër shtet vendimtar për fatin e zgjedhjeve në Miçigan. Ajo do të zhvillojë tubime në Detroit, Trojë dhe Pontiak.
Presidenti Trump arriti të sigurojë një fitore të ngushtë në vitin 2016 në Miçigan, një shtet tradicionalisht demokrat, i cili së bashku me fitoret në Pensilvani dhe Uiskonsin, i dhanë atij një mandat katër vjeçar në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Por sondazhet tregojnë se mbështetja ndaj zotit Trump ka pësuar një rënie me rreth 8 për qind në Miçigan dhe se ai gjithashtu renditet pas me përqindje më të ulta edhe në Uiskonsin dhe Pensilvani.
Të tre këto shtete janë thelbësore për rezultatin e vitit 2020, ashtu siç janë edhe disa shtete të tjera të cilat zoti Trump i fitoi në 2016, por ku tashmë renditet pas zotit Biden.
Deri tani kanë votuar më shumë se 58 milionë amerikanë, rreth dy të tretat e tyre me postë dhe një e treta personalisht. Shumë prej tyre thonë se votuan përpara datës së zgjedhjeve për të shkak të pandemisë.
Sipas sondazheve më pak se 5 për qind e votuesve nuk e kanë vendosur ende se për kë do të votojnë. Shumë prej mbështetësve të hershëm të zotit Biden kanë thënë se donin të ishin ndër të parët që do të votonin kundër zotit Trump, shkruan voa. Ndërkohë, shumë republikanë thonë se kanë në plan të votojnë ditën e zgjedhjeve, siç ka qenë traditë për dekada të tëra SHBA.