Ky kanton i Zvicrës më i ashpër ndaj COVID-19: Nuk presim masat e federatës
Kantoni Schwyz në Zvicrën Qendrore ka shtrënguar edhe në tej masat e tij në luftën kundër koronavirusit.
Kështu, nga e hëna në këtë kanton do të ndalohen ngjarjet private me më shumë se dhjetë persona dhe ato publike, me më shumë se 30 persona.
Në vendin e punës, tani është e detyrueshme mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, kanë bërë të ditur autoritetet kantonale dielën pasdite, transmeton albinfo.ch. Masat e marra deri më tani nga kantoni dhe qeveria federale janë treguar të papërshtatshme për të ndalur trendin e rritjes së vazhdueshme të numrit të rasteve, shkruajnë ato.
Këshilli qeveritar për këtë arsye tani po merr masa të mëtejshme dhe nuk po pret deri sa të merren masat e shpallura nga këshilli federal, të paralajmëruara për të mërkurën. Marrja e masave u vendos në një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, që u mbajt të dielën.
Komunikata e autoriteteve kantonale gjithashtu i bën thirrje popullatës që të ushtrojë përgjegjësi personale dhe të veprojë në përputhje me rregullat e zbatueshme të higjienës dhe rregullat e distancës.
Është veçanërisht e rëndësishme që të mund të ruhet gjurmimi i kontakteve dhe rrjedhimisht ndjekja e vazhdueshme e zinxhirëve të transmetimit të virusit.