Telekomi i Serbisë në tregun e Kosovës, Qeveria vazhdon të heshtë
Në vitin 2005 Telekomi i Sllovenisë kishte vendosur të investojë në Kosovë, saktësisht në tregun e telekomunikimeve, duke blerë aksione në kompaninë e ofrimit të shërbimeve të internetit, IPKO.
Madje, ky investim, është investimi më i madh që e ka bërë shteti i Sllovenisë jashtë kufijve të tij.
Mirëpo, këtij rrugëtimi i erdhi edhe fundi. Në vitin e kaluar, më 5 korrik, Telekomi i Sllovenisë ka vënë në shitje të gjitha aksionet e saj që i posedon në IPKO. E interesim për këto aksione kanë shfaqur shumë kompani të telekomunikimeve.
Por ajo që bëri bujë të madhe brenda një kohe të shkurtër është ajo se Telekomi i Serbisë ka ofruar ofertën më të lartë për blerjen e këtyre aksioneve.
Këtë, së pari e bëri publike kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Telekom Srbija paska dhënë ofertën më të lartë për ta blerë Ipkon. Më kujtohet kur para dy vitesh Banka Qendrore e Serbisë bllokoi blerjen e Telenor Bankës në Serbi nga shqiptari Elvin Guri. As oferta nuk do të duhej të lejohej. Së pari njohja, por edhe në rast njohjeje, asetet e ndjeshme duhet të jenë diskutim i sigurisë kombëtare”, pat shkruar Ahmeti.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus tash e tre muaj është munduar vazhdimisht të kontaktojë me Qeverinë ose Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, por ka qenë e pamundur. Madje, jemi përpjekur të kontaktojmë edhe me Telekomin e Serbisë, por edhe ata kanë qenë të paarritshëm. Të vetmit që janë përgjigjur kanë qenë nga Telekomi i Sllovenisë, por që nuk kanë dhënë shumë informacione për procesin.
Në një përgjigje për FaktePlus, Katarina Preseren, nga zyra për Marrëdhënie me Publikun në Telekomin e Sllovenisë, ka thënë që procesi i shitjes nuk ka përfunduar ende.
“Pasi që jemi akoma në procesin e shitjes, nuk mund t’ju japim ndonjë koment ose informacion shtesë në lidhje me të.”, ka thënë Preseren. A
jo gjithashtu ka thënë që kompania do t’i informojë palët e interesuara për veprimet e mëtejshme në lidhje me këtë çështje.
Por blerja e aksioneve të IPKO- s nga ana e Telekomit të Serbisë, është parë me shumë skepticizëm sa i përket cenimit të sigurisë kombëtare.
“Në rrethanat momentale me relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, ku Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe i minon interesat shtetërore të Kosovës, kjo do të paraqiste sfidë serioze të sigurisë shtetërore, sigurisë kibernetike dhe privatësisë së qytetarëve të Kosovës”. Procesi i shitjes së aksioneve, sipas Telekomit të Sllovenisë, mund të zgjasë më së paku pesë vite./FaktePlus/
Blerja e IPKO-s nga “Telekom Srbija” rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës – Qeveria hesht