Pas anulimit të debatit, Trumpi dhe Bideni në garë për audiencë televizive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe sfiduesi nga Demokratët për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, do të kenë sot një garë për audiencë televizive në vend të një debati të dytë presidencial, që ishte anuluar pasi Trump refuzoi të merrte pjesë në një debat virtual, shkruan agjencia Reuters.
Ngjarja, ku dy kandidatët do të marrin pyetje nga votuesit, do të organizohet rreth orës 20:00 me kohë lokale sot (rreth orës 02:00 të mëngjesit me kohën tonë), ku Trump do të jetë në rrjetin NBC e Biden në atë ABC.
Trumpi u tërhoq nga debati kur komisioni që ishte në drejtim të organizimit të kësaj ngjarje tha se do të duhet të mbahet virutalisht nga frika nga koronavirusi.
Presidenti Trump më 2 tetor kishte njoftuar se është infektuar me koronavirus, por u kthye në fushatë pasi mori trajtim, ku kaloi edhe disa ditë në spital ushtarak. Duke njoftuar për tubimin në sallën e asamblesë, NBC ka thënë se ka marrë deklaratën për shëndetin e Trumpit nga Clifford Lane, drejtor klinik i Institutit Nacional të Shëndetësisë.
NBC ka thënë se Lane dhe specialisti i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, kanë konkluduar me shkallë të lartë të besimit, se Trump më nuk është infektues.
Kur kanë mbetur më pak se tri javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe miliona persona kanë votuar tashmë, Trump, është ende duke shikuar mënra për të ndërruar dinamikën e garës në të cilën në sondazhet nacionale Biden shihet me avantazh dyshifror.
Një rekord prej 15 milionë amerikanëve kanë votuar në votimet e hershme deri më tash.
Trumpi do ta ketë tubimin sot në Miami ndërsa Biden në Philadelphia. Por transmetuesi nuk pritet të ketë audiencë të madhe krahasuar me debatet presidenciale.
Debati i tretë presidencial është paraparë të mbahet më 22 tetor në Nashville.