A do t’i marrin qytetarët këtë muaj paratë nga Trusti, flasin nga Ministria e Financave
Me 64 vota pro të deputetëve, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka votuar në parim, në tentimin e shtatë, projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dje kanë miratuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në komisionet përkatëse parlamentare.
Ky Projektligji i cili kap e 385 milionë eurove, me miratimin e tij të plotë është thënë se do të mundësohet rikuperimi i humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19).
Me këtë projektligj, kontribut-paguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, pikë për të cilën pati mospajtime të ndryshme, teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar e quajti këtë “zvogëlim të pensioneve”.
Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, po kështu Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kritere të përcaktuara nga vetë ministria.
Ndërkaq nga kjo ministri kanë dhënë detaje në lidhje me këtë ligj. Agim Krasniqi, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, ka thënë për FaktePlus se ligji për rimëkëmbje ekonomike mund të përfundoj deri në fund të këtij muaji.
Ai ka thënë se pas dy jave hidhet në votim përsëri dhe kështu procedurat administrative do të përfundojnë shpejt.
“ Në parim është miratuar, tash projektligji kalon nëpër komisione, komisionet funksionale munden me pas amandamente që propozohen prej deputetëve dhe grupeve parlamentare. Pastaj të shiqohet ndonjë rekomandim i cili mund me u përfshi në kuadër të ligjit dhe procedurat tjera shkojnë pra për në lëximin e dytë. Ne besojmë që brenda dy javëve me kalu projektligji dhe para fundit të këtij muaji projektligji duhet me qenë në fuqi. Sepse edhe këto procedurat e tjera administrative, nënshkrime e ratifikime nuk marrin shumë kohë”, është shprehur Krasniqi.
104 mijë qytetarë do të mund t’i tërheqin vetëm 10 euro nga TRUST-i
Ndryshe për kalimin në lexim të parë të këtij ligji, ka reaguar edhe Trusti i Pensional i Kosovës. Nga ky institucion kanë thënë se të gjithë kontribuuesit do të njoftohen për detajet për aplikim për tërheqjen e 10 për qind të kursimeve të tyre
Ata thonë se këto detaje do të bëhen të ditura pas kalimit të këtij projektligjit në lexim të dytë dhe dekretimit nga presidenti.
“Ligji i rimëkëmbjes ekonomike që mundëson tërheqjen prej 10 për qind ka kaluar sot (12.10.2020) në lexim të parë. Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë ligji duhet të dekretohet nga presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, ka sqaruar Trusti.
Ndryshe sipas Trustit Pensionat të Kosovës, llogariten mbi 639 mijë kontribues ku 104 mijë prej tyre mund t’i tërheqin vetëm 10 euro nga Trusti nëse kjo Pako e Rimëkëmbjes merr votat e deputetëve në lexim të dytë./FaktePlus