Asociacioni, betejë mes Kosovës e Serbisë tash e 13 vite
Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi, Shtërpca, Graçanica, Novëbërda, Ranillugu e Parteshi janë në hartën e Kosovës, mirëpo Serbia vazhdimisht ka shfaqur interesim të madh për to.
Prej fillimit të përpjekjeve për t’i normalizuar raportet Kosovë- Serbi është diskutuar edhe krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe u nënshkrua në vitin 2015, mirëpo ende nuk është implementuar.
Madje, kjo po shihet edhe si pengesë për vazhdimin e dialogut, pasi që Beogradi zyrtar është deklaruar se nuk do të ulet në një tavolinë ku për asociacionin nuk bisedohet. Ndërsa në anën tjetër, pala kosovare ka thënë qartë se nuk do të diskutohet për të.
Pas shumë diskutimeve e përplasjeve mes dy shteteve, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë që për asociacionin duhet të bisedohet tani.
“Asociacioni është çështje e ndjeshme, për të cilën ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushteutese e Kosovës – dhe ky opinion duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tash nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tash? Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje vetë’”, ka thënë ai.
Mirëpo se cilat do të jenë pasojat e asociacionit, flet profesori universitar, Milazim Krasniqi.
Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë që marrëveshja për asociacionin është obligim ndërkombëtar dhe është në dëm të Kosovës, por që duhet zbatuar.
“Tash ky obligim ndërkombëtar duhet zbatuar sepse vetë e kemi nënshkruar dhe është ratifikuar në Kuvend, mirëpo duhet të mundohemi t’i minimalizojmë dëmet ndaj Kosovës.”, ka thënë ai.
Mëtutje Krasniqi thotë se politikanët kanë pranuar ta nënshkruajnë marrëveshjen në Bruksel me shpresën që më vonë mund ta ndryshojnë disi, mirëpo kjo vështirë që mund të ndodh.
“Pa asnjë dyshim, asociacioni është një obligim ndërkombëtar që është marrë dhe realisht është në dëm të Kosovës. Por përfaqësuesit kosovarë kanë pranuar ta nënshkruajnë marrëveshjen në Bruksel me shpresën që do ta ndryshojnë disi më vonë.”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka folur për FaktePlus edhe rreth ndërlidhjes së bisedimeve Kosovë – Serbi me Pakon e Ahtisaarit. Ai ka thënë që në dialog po targetohen tema si asociacioni, të zhdukurit e zhvillimi ekonomik me qëllim që të mbledhen në një pako. E kjo, sipas profesorit Krasniqi, është e dëmshme.
“Në dialog po targetohen çështje si të pagjeturit, zhvillimi ekonomik e asociacioni me qëllim që të kthehen në një pako, dhe kjo qasje është e dëmshme.”, ka thënë ai.
Profesori universitar është deklaruar për FaktePlus edhe rreth temës së njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Sipas tij, kjo gjë nuk do të ndodh.
“Serbia nuk do ta njohë Kosovën, do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse obiligative me të cilën mundësohet jeta mes dy shteteve pa njohje. Unë dua të ndodh njohja e Kosovës nga Serbia, mirëpo duke parë proceset në Serbi, kjo nuk do të ndodhë. Andaj qeveria duhet të tregohet sa më modeste sa i përket deklaratave mbi njohjen e Serbisë.”, ka shpjeguar Krasniqi.
Ai gjithashtu ka folur edhe rreth çasjes së kryeministrit Hoti ndaj diskutimeve për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Qasja deklarative e kryeministrit Hoti që të mos hapet më çështja e asociacionit sepse ai duhet të formohen në koordinim me vendimin që ka marrë Gjykata Kushtetuese.”, ka thënë Krasniqi për FaktePlus.
Ai gjithashtu vlerëson se Serbia nuk ka marrë asnjëherë mbi vete obligime ndërkombëtare, ndërsa Kosova po. E kjo sipas tij i ka sjell dëm Prishtinës zyrtare.
“Në procesin e Vjenës janë diskutuar këto pika e mandej janë futur në Pakon e Martti Ahtisaarit, të cilën Kosova e ka pranuar ndërsa Serbia jo. Kjo ka sjellë pasoja për Kosovën, pasi Serbia nuk ka marrë mbi vete asnjë obligim ndërkombëtar.”, ka thënë Krasniqi.
Origjina e asociacionit është në vitin 2007, si pjesë e Planit të Ahtisaarit, në bazë të cilit u krijua shtetësia e Kosovës. Sipas Ahtisaarit këto komuna janë krijuar për të bashkëpunuar qeveritë lokale ‘në mbrojtjen dhe promovimin e interesave të përbashkëta’./FaktePlus/