Qeveria siriane paditet në Gjermani për përdorimin e gazit sarin kundër civilëve
Një grup i organizatave joqeveritare ka dorëzuar ankesë për shkelje kriminale në gjykatat gjermane për përdorimin e gazit sarin në Siri. Ky është hapi i parë ligjor për ta mbajtur përgjegjës regjimin e presidentit Asad rreth përdorimit të armëve kimike.
Nisma për Drejtësi, Qendra Siriane për Medie dhe Liri të Shprehjes dhe Arkivi Sirian të hënën dorëzuan dëshmi te prokurori publik gjerman në Karsruhe në emër të viktimave, shkruan The Guardian.
Hetimi i përbashkët dyvjeçar përqendrohet në dy prej sulmeve më të rënda me armë kimike në luftën e gjatë: përdorimi i gazit sarin në periferi të Damaskut në vitin 2013, ku kishin mbetur të vdekur mbi 1.500 persona, dhe përdorimi i këtij gazi në fshatin Khan Sheikhun në vitin 2017, kur ishin vrarë rreth 100 të tjerë.
Dosja e dorëzuar në njësinë e specializuar ndërkombëtare për krime lufte e paraqet hulumtimin më gjithëpërfshirës të dy sulmeve deri më tani. Ajo është hartuar nga dëshmitarët që tash jetojnë në Gjermani dhe që kanë mundësi të japin dëshmi. Në dosje ka edhe intervista dhe dokumente të ofruara nga dezertorët e regjimit.
Në dëshmitë e reja në këtë dosje identifikohen zyrtarët qeveritarë dhe zyrtarët e forcave të armatosura të komandës që është përgjegjëse për kryerjen e sulmeve kimike. Shpresohet që përmes këtyre dëshmive të sigurohen ndjekja penale dhe arrestimi i personave të dyshuar për krime.
Vuajtjet e civilëve nga duart e shumë palëve në konfliktin e gjatë sirian janë dokumentuar mirë nga hetuesit e Kombeve të Bashkuara dhe nga grupet për të drejtat e njeriut, por qeveria dhe grupet e armatosura deri më tani kanë arritur t’i shmangen ndëshkimit.