35 milionë raste me Covid-19 në gjithë botën
Një javë pasi numri i vdekjeve nga koronavirusi në botë arriti shifrën 1 milion, numri i infektimeve ka arritur në më shumë se 35 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Disa vende europiane shënuan shifra të larta. Gjermania njoftoi të hënën se rastet në vend kanë tejkaluar shifrën 300,000 dhe Britania ka tani 500,000 raste.
“Cineworld” e Britanisë, kompania e dytë më e madhe e kinemave në botë, njoftoi të hënën se do të mbyllë përkohësisht kinematë e saj britanike dhe amerikane. Urdhrat e mbylljeve për shkak të koronavirusit dhe kufizimet e grumbullimeve në grupe kanë dëmtuar rëndë industrinë e filmit. “:Cineworld” tha se mbyllja do të ketë ndikim tek 45,000 vende pune.
Qeveria britanike ndërmori të hënën një program të ri prej 300 milionë dollarësh, që synon të ndihmojë njerëzit të kthehen në punë.
Në Zelandën e Re, Kryeministrja Jacinda Ardern tha të hënën se kufizimet në qytetin Auklandit do të hiqen të mërkurën.
Masat u vendosën për të vënë nën kontroll një valë rastesh në qytetin më të madh të vendit në gusht, që rrezikonte të zmbrapste përparimin e Zelandës së Re drejt eliminimit të koronavirusit.
Auklandi nuk ka raportuar raste të reja prej10 ditësh dhe pas heqjes së kufizimeve të mërkurën vonë, njerëzit nuk kanë nevojë më të ndjekin rregullat e distancimit fizik në bare e restorante dhe mund të mblidhen në grupe më të mëdha se 100.
Në Francë, duke filluar nga e marta, baret e Parisit do të mbyllen për dy javë dhe restorantet do të fillojnë të përdorin protokollet e reja sanitare, sipas zyrës së kryeministrit
Franca të dielën njoftoi për 12,565 raste të reja koronavirusi, ndërsa 893 pacientë me COVID-19 u shtruan në njësitë e kujdesit intensiv gjatë javës së kaluar.
Masat maksimale kundër COVID-19-ës hyjnë në fuqi kur shkalla e rasteve tejkalon 100 infeksione për 100,000 vetë tek të moshuarit dhe 250 për 100,000 vetë për publikun e gjerë.
Kryetarja e Grupit të Punës për vaksinën në Britaninë e Madhe, Kate Bingham i tha gazetës Financial Times të dielën se nuk do të bëhej vaksinim për të gjithë popullatën.
“Njerëzit vazhdojnë të thonë se duhet vaksinuar gjithë popullsia, por kjo është e gabuar. Vaksinimi i njerëzve të shëndetshëm, të cilët nuk kanë gjasa të kenë pasoja të rënda nga COVID-19, mund t’u shkaktojë atyre dëm të madh”, tha ajo.
“Është një vaksinë vetëm për të rritur, për njerëzit mbi 50 vjeç, që përqendrohet te punonjësit shëndetësorë, tek ata që kujdesen për të sëmurët në shtëpi dhe ata që janë më të rrezikuar”, tha Bingham në intervistë.