“Inshallah” e Bidenit në debat vlerësohet “historike”
Kandidati demokrat, Joe Biden, ka vënë në dyshim mundësinë e hetimit të skandalit të shmangies së taksave nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, të cilit po i kërkohej pasqyrimi i të gjitha detyrimeve ndaj vendit.
“Do ta shihni”, ka përsëritur presidenti Trump pas insistimit të moderatorit Chris Wallace për ta dhënë fjalën dhe kohën se kur mund të publikojë të dhënat për shlyerjen e taksave. Bideni ka ndërhyrë: “Kur? Inshallah?”.
Debati është kritikuar nga analistët dhe njohësit e fushatave presidenciale amerikane. Ata kanë akuzuar dy kandidatët se humbën durimin dhe se nuk lejuan të zhvillohej debati mirëfillshëm. Shumëkush është habitur me reagimet e demokratit Biden, i njohur deri tani për maturi në fushatë zgjedhore.
Përderisa fjala e gjuhës arabe e ka kuptimin “Dashtë Zoti”, ka kuptim miqësor dhe shpreh njëfarë dykuptimësie në frazën që ngërthen në vete edhe dyshimin.
Bideni ka publikuar më parë pasqyrat e taksave të tij personale për të hyrat. Aty bëhet e ditur se ish-zëvendëspresidenti dhe gruaja e tij, Jill Biden, kishin paguar deri në tridhjetë për qind taksa për të hyrat e tyre personale prej 985 mijë dollarësh amerikanë.
Trumpi, në anën tjetër, ka refuzuar që t’i publikojë vullnetarisht pasqyrat financiare për shlyerjen e taksave – një traditë e kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një ditë para debatit të parë të drejtpërdrejtë presidencial të së martës, gazeta njujorkeze, “Times”, publikoi një shkrim të gjatë hulumtues, ku mësohet se presidenti biznesmen kishte shlyer vetëm 750 dollarë taksa për vitin 2016 dhe 750 tjera për vitin 2017, kur edhe kishte marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.