“Unë them që më helmoi Putini”
Opozitari kryesor rus Aleksej Navalni flet për revistën gjermane “Der Spiegel” mbi sulmin me helm kundër tij.
Aleksej Navalni është 44-vjeçar, aktivist kundër korrupsionit në Rusi, kritik i regjimit të Vladimir Putinit, kryeopozitar. Navalni është burgosur disa herë, është atakuar verbalisht dhe fizikisht nga persona të afërt me Kremlinin apo me urdhër të Kremlinit. Në gusht, ndërsa po fluturonte nga një qytet i provincës ruse në Moskë, Navalni humbi vetëdijen.
Ndërkohë dihet se Navalni është helmuar me helmin noviçok, një substancë që praktikisht e kanë në dispozicion vetëm institucionet shtetërore ruse. Pas trajtimit disajavor në Spitalin Universitar të Berlinit Navalni ka folur për herë të parë për përvojën e tij, kur për pak i shpëtoi vdekjes. Ka folur, kuptohet, edhe për Vladimir Putinit. Navalni ka folur për revistën gjermane “Der Spiegel”. Në vijim disa nga deklaratat më të rëndësishme nga intervista.
Mbi vizitën që Navalnit ia bëri në spital Angela Merkeli
● Kjo ndodhi javën e kaluar. Krejtësisht papritur: u hap dera, së pari hyri mjeku im – pastaj Merkel. Ishte takim privat, në rrethin familjar, aty ishin gruaja ime Julija dhe djali im Sahar. Mbi detajet e takimit nuk mund të flasë, por nuk kemi folur diçka sekrete apo sensacionale. Vizata ishte një gjest. Më ka impresionuar sa mirë ajo e njeh Rusinë dhe rastin tim. Disa detaje ajo i di më mirë se unë. Ajo ka njohuri të thella mbi atë se çka ndodhë në Rusi. Dhe kur flet me të, e kupton pse ajo kaq gjatë është në krye të Gjermanisë. Iu falënderova për angazhimin e saj, ajo tha: “Unë kreva vetëm një obligim timin”.
Mbi ditën kur u helmua (20 gusht 2020)
● Ishte një ditë e mrekullueshme: po shkoja në shtëpi pas një jave të mundimshme dhe të suksesshme. Xhiruam filma mbi fushatën e zgjedhjeve rajonale, gjithçka shkoi mirë. U rehatova në karrigen time në avion dhe gëzohesha për fluturimin e qetë, ku do të shikoja një seri. Pas kthimit në shtëpi në Moskë do të xhiroja emisionin tim që shfaqet në YouTube dhe do të kaloja fundjavën me familje. Ndihesha mirë, siç isha ndier edhe në aeroport. Pastaj… Vështirë të përshkruhet, sepse s’ke me çka e krahason. Organofosfatet e sulmojnë sistemin tënd nervor ashtu siç e sulmon kompjuterin një DDos – kjo është një ngarkesë që të shkatërron. Nuk mund të koncentrohesh më. Unë vërejta që diçka nuk është në rregull, më rridhnin djersë të ftohta. E luta Kiran (Kira Jarmish, zëdhënëse e Navalnit) të më jap një facoletë. Pastaj i thashë: fol me mua! Dua të dëgjoj një zë, diçka s’është në rregull me mua. Ajo më shikoi si një të çmendur dhe filloi të flasë. Nuk arrija të kuptoj se çfarë po ndodhte me mua. Stjuardët erdhën me një karroce, së pari desha t’ju kërkoj ujë, pastaj thashë: jo, më lejoni të kalojë, dua të shkoj në tualet. U freskova me ujë të ftohtë, u ula në tualet dhe prita, pastaj prapë u freskova me ujë. Mandej thashë vetë më vete: nëse nuk dalë nga këtu tani, s’do të dalë kurrë më. Dhe përshtypja më e rëndësishme ishte kjo: ti nuk ndjen dhimbje, por e di se do të vdesësh. Menjëherë. Por asgjë nuk të dhemb. Dola nga tualeti, iu drejtova stjuardit – dhe në vend se ta lusja për ndihmë, unë, për befasinë time, thashë: “Më kanë helmuar. Po vdes”. Pastaj u shtriva para tij për të vdekur. Është gjëja fundit që kam parë: fytyra e tij, e cila më shikon me habi të lehtë dhe buzëqeshje të lehtë. Ai tha: “Helmuar?” dhe me gjasë ka menduar se më kanë shërbyer me mish të keq të pulës. E fundit që dëgjoj ndërsa jam i shtrirë mbi tokë është kjo: “Keni probleme me zemër?” Por zemra nuk më dhemb. Asgjë s’më dhemb, vetëm e di se po vdes. Pastaj dëgjoj zëra të ulët, një grua thotë: “Kujdes, mos u alivanos!” Këtu merr fund gjithçka. E di se kam vdekur. Më vonë u pa se e kisha gabim.
Mbi përcjelljen nga shërbimet ruse
● Që nga viti 2012 më përcjellin vazhdimisht, nganjëherë krejt hapur. Kur shkoj për vizitë në regjione, është një hordhi e tërë – qendra e policisë kundër ekstremizmit, shërbimi i brendshëm sekret FSB e kështu me radhë. Por kësaj radhe nuk vërejtëm diçka më shumë se zakonisht. (…) Me siguri nuk ka pasur urdhër për tërë FSB-në që të vrasin Navalnin. Kjo ka qenë e kufizuar në rrethin e ngushtë.
Kush qëndron pas helmimit?
● Unë them që pas kësaj vepre qëndron Vladimir Putini, versione të tjera të krimit nuk kam. Nuk e them këtë për të përkëdhelur veten, por duke u nisur nga faktet. Fakti më i rëndësishëm është noviçoku. Urdhri për ta përdorur apo prodhuar mund të vijë vetëm prej dy njerëzve – shefit të FSB-së apo të shërbimit të jashtëm sekret SVR. Ndoshta edhe GRU (shërbimi sekret ushtarak rus, v.j.). Kur Putini thotë se unë vetë e kam prodhuar noviçokun dhe kam helmuar veten, kjo është e pamundur. Ne mund të jemi të sigurt se vetëm tre veta mund të japin urdhrin për të filluar “masa aktive” dhe për të përdorur noviçokun. Nëse e njeh realitetin rus, e ke të qartë: shefi i FSB-së Aleksander Bortnikov, shefi i SVR-së Sergej Narishkin dhe shefi i GRU-së nuk mund të marrin një vendim të tillë pa urdhër të Putinit. Ata janë vartës të tij.