PA CENSURË me Virusin
Aktori Basri SHALA – VIRUSI në një intervistë për “Pa Censurë” ka folur për filmin e Jani Bojaxhiut “Tallja e Krishtit” i cili ka ngjallur shumë polemika mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Në këtë film paraqiten disa pjesëtarë gjoja të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), të cilën vrasin civilë.
Megjithatë, aktori Shala këtë e sheh ndryshe – thotë se regjisori Jani Bojaxhiu e ka pasqyruar realitetin e ngjarjes. Sipas Shalës, “pjesëtarët e UÇK-së” ishin maqedonas të cilët qëllimisht janë veshur me uniforma të UÇK-së dhe kanë bërë krime me qëllimin që t’ia veshin ato pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së, duke e dëmtuar imazhin real të luftës që zhvillohej atje.
PA CENSURË: Si e vlerësoni filmin “Tallja e Krishtit” të regjisorit Jani Bojaxhi, që njëherësh ka ngjallur shumë reagime në masë?
Basri SHALA – VIRUSI: Në fakt kam pritur një reagim më të mirë nga shqiptarët. Por edhe kësaj here e humbën një shans tepër të mirë. Filmin e Janit, fatkeqësisht nuk e kam parë komplet, por me shkëputje. Sipas mendimit tim, është njëri ndër filmat më pozitiv që është bërë në Maqedoni për luftën çlirimtare atje. Reagimet kanë ardhur si zakonisht nga njerëzit që janë ekspertë për çështje të përgjithshme, d.m.th., nga ata që janë në gjendje të flasin që nga operacionet plastike-estetike, deri tek zbulimet e NASA-s, por që kur është fjala edhe për film, e thonë ndonjë fjalë.
PA CENSURË: Sekuencat e filmit që janë lansuar në mediume janë pamje që tregojnë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si terroriste, ushtarë që vrasin dhe maltretojnë civilë. Si mund të thoni që është pozitiv?
Basri SHALA – VIRUSI: Jo, është gabim! Nëse po flasim për filmin e njëjtë, unë nuk kam parë asnjë ushtarë të UÇK-së aty. Aty Jani Bojaxhi e ka thënë një të vërtetë që ka ndodhur atje, dhe jo vetëm. Edhe unë me raste shkarravis diçka, që i quaj skenarë, ose skica për skenar filmi. P.sh., para një kohe e kam shkruar një skenar për film të gjatë e titulli i tij është “Unë jam fajtor”, ku tregon për tmerret që serbët kanë bërë gjatë luftës në Kosovë.
Personazhi antagonist në këtë skenar është Zvonko, një ushtarak serb, i cili të gjitha krimet i kryen me plis në kokë, më shqiponjë të arit në qafë dhe më uniformë të UÇK-së, edhe skuadra e Zvonkut në skenarin tim janë të kamufluar ashtu, që nga pamja e jashtme duken si shqiptarë, por në fakt janë njësi elite serbe. Edhe në filmin e Janit e kam parë të njëjtën gjë. Jani meriton respekt nga shqiptarët për këtë vepër.
PA CENSURË: Po shumë mirë e keni thënë, ju keni pasqyruar krimet që kanë bërë serbët gjatë luftës… Nuk ka lidhje si janë të kamufluar por çfarë paraqesin. Këtu në këtë film paraqitet UÇK-ja (ku vetëm për semiotikë është emri dhe gjuha serbe) dhe i vishen terrore që nuk i ka kryer!
Basri SHALA – VIRUSI: Ushtarët e Janit nuk janë shqiptarë, sepse as nuk flasin shqip, e as nuk sillen si të tillë. Ku e gjeni ju shqiptarin tek filmi i Janit? Ata janë sllavë që veç janë kamufluar për t’u fshehur nga UN-i. Unë në atë film s’kam parë asnjë shqiptar.
PA CENSURË: Atëherë si e shpjegoni logjikën që ai ushtari i UÇK-së, që sipas jush paraqet ushtarin serb, vret civilë serbë në Maqedoni?!
Basri SHALA – VIRUSI: Sepse ashtu kanë ndodhur në të vërtetë. Po ju rikujtoj rastin “Panda” në Pejë. Sllavët janë në gjendje të bëjnë gjithçka për të arritur qëllimin. Ka shumë raste kur edhe maqedonasit kanë vrarë civilë maqedonas më idenë që faji t’u mbetet shqiptarëve. Nëse nuk gaboj, edhe në Maqedoni ka ndodhur rasti “Monstra”. Çfarë doli në fund? Kush ka bërë krime?
PA CENSURË: Raste të tilla nuk mund t’i krahasojmë, janë të ndara! I nderuar ju falënderoj për intervistën, kënaqësi të dëgjoj një mendim ndryshe. Ju ngeleni idesë që është një film i mirë dhe me sa di unë, i keni ofruar mundësinë regjisorit të promovojë edhe në Kosovë?
Basri SHALA – VIRUSI: Po janë raste të ndara, por edhe filmi i Janit është një rast. Unë e kam kënaqësinë që edhe përmes jush ta ftoj Jani Bojaxhiun në Prishtinë dhe unë ia organizoj premierën e filmit. Jani nga mbiemri duket i familjes së Nënë Terezës, dhe si i tillë është i mirëseardhur mes nesh. E keqja është se opinioni juaj atje dhe këtu tek ne flasin, por shumica që unë kam pasur rastin t’i dëgjoj e lexoj, janë tepër të cekët.
Aktori Basri SHALA – VIRUSI ka qenë ish-ushtar UÇK.