CDC: Coronavirusi përhapet edhe përmes ajrit
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë përditësuar të dhënat e fundit rreth pandemisë globale të quajtur COVID-19.
Tashmë në CDC-së shkruhet se coronavirusi mund të përhapet zakonisht “me anë të spërklave respiratore apo grimcave të vogla si ato në aerosolë,” që prodhohen kur një person merr frymë, raporton CNN.
“Viruset që përhapen përmes ajrit, përfshirë Covid-19, janë mes më të zakonshmit dhe më lehtësisht të përhapur”, thuhet tashmë në uebfaqe.
Më parë, CDC-ja raportonte se virusi përhapej kryesisht mes njerëzve në kontakt të ngushtë, rreth 1.8 metra dhe “përmes spërklave të frymëmarrjes të prodhuara kur një person i infektuar kollitet, teshtin ose bisedon”.
Megjithatë, udhëzimet, të përditësuara të premten, vijojnë të thonë se Covid-19 përhapet më shpesh nga kontakti i afërt mes njerëzve, si dhe “përmes spërklave të frymëmarrjes ose grimcave të vogla, të tilla si ato në aerosole, të prodhuara kur një person i infektuar kollitet, teshtin, këndon, flet ose merr frymë”.
Këto grimca mund të shkaktojnë infeksion kur “thithen në hundë, gojë, rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëri”, thuhet më tej. “Kjo mendohet të jetë mënyra kryesore e përhapjes së virusit.”
CDC gjithashtu shtoi masa të reja në informacionin e saj në lidhje me mbrojtjen e vetes dhe të tjerëve.
Më parë, CDC sugjeronte mbajtjen e “distancës fizike” prej 1.8 metrash, larjen e duarve, pastrimin dhe dezinfektimin rutinor të sipërfaqeve dhe mbulimin e gojës dhe hundës me një maskë kur ndodheni pranë të tjerëve”.
Tani, udhëzimet thonë “qëndroni të paktën 1.8 metra larg të tjerëve, kur është e mundur”, dhe vazhdon t’i drejtojë njerëzit të mbajnë maskë e të pastrojnë dhe dezinfektojnë në mënyrë rutinore.
Megjithatë, tani gjithashtu thuhet se njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të izolohen kur janë të sëmurë dhe “të përdorin pastruesit e ajrit për të ndihmuar në zvogëlimin e mikrobeve të ajrit në hapësirat e brendshme”.
Maskat, vihet në dukje, nuk duhet të zëvendësojnë masat e tjera parandaluese.
Përditësimi gjithashtu ndryshoi gjuhën rreth transmetimit asimptomatik, duke kaluar nga pranimi se “disa persona pa simptoma mund ta përhapin virusin” duke udhëzuar se personat që janë të infektuar por nuk shfaqin simptoma mund ta përhapin virusin tek të tjerët”.