Wuhani pret fluturimin e parë ndërkombëtar që prej janarit
Qyteti kinez i Wuhanit, vendi i parë ku u zbulua koronavirusi në dhjetor 2019, priti sot fluturimin e parë ndërkombëtar që prej janarit, kur aeroporti u mbyll për shkak të COVID-19.
Kina reduktoi në mënyrë drastike linjat ajrore me pjesën tjetër të botës për të kufizuar mbërritjen e të sëmurëve me COVID-19 që përbënin rrezik potencial për rikthimin e epidemisë në vend.
Vendi që prej asaj kohe e ka frenuar COVID-19 në sajë të masave kufizuese, karantinës, depistimit, ndjekjes së rasteve dhe kontakteve dhe mbajtjes së maskave, raporton ATSh.
“Një avion i kompanisë koreano-jugore me çmime të ulëta “T’way” mbërriti të mërkurën në aeroportin ndërkombëtar Tianhe të Wuhanit me 60 pasagjerë në bord”, theksoi televizioni publik CCTV.
Imazhet e publikuara nga stacioni televiziv tregojnë udhëtarët me maska si dhe oficerë policie me kostume të plota mbrojtëse që kontrollonin pasaportat.
Rreth 3 900 persona kanë humbur zyrarisht jetën nga COVID-19 në Wuhan, më shumë se 80% nga 4 634 të vdekur të regjistruar nga Kina në territorin e saj.
Qyteti u vendos në karantinë për më shumë se dy muaj duke filluar nga 23 janari. Bashkia e qytetit më pas organizoi depistimin e 11 milionë banorëve.