Ministrja e Jashtme me bashkatdhetarët në Holandë: Bashkë do ta fuqizojmë Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj Stublla gjatë qëndrimit zyrtar në Hagë të Holandës ka takuar bashkëatdhetarë dhe përfaqësues nga shoqata “Kosova” dhe shoqata “Shqiptarët në Holandë”.
Haradinaj ka thënë se ndihet krenare që edhe brezi i ri në diasporë po ruan gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.
“Fillova sot takimet në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Hagë, me diasporën tonë nga shoqata “Kosova” dhe shoqata “Shqiptarët në Holandë”. Brezi i ri i diasporës së mirëintegruar dhe shkolluar kanë prekur majat e sukeseseve dhe kjo na bënë pafundësisht krenarë”.
Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se bashkë kanë diskutuar për projekte konkrete për Kosovën dhe sidomos për ruajtjen e gjuhës shqipe e cila forcon lidhjen me vendlindjen.
“Duke ua dërguar të falat më të përzemërta nga Kosova, diskutuam së bashku për projekte konkrete të përbashkëta, mbi gjuhën shqipe si domosdoshmëri elementare për ruajtjen dhe forcimin e lidhjes së tyre me Kosovën, dhe forma tjera të bashkëpunimit që do i mbajë më afër me Kosovën”.
Duke i njoftuar edhe për aktualitetin politik në Kosovë kryediplomatja ka shprehur bindjen se bashkë me diasporën do ta fuqizojnë shtetin e Kosovës.
“Njëkohësisht i njoftova mbi sfidat dhe të arriturat e Kosovës dhe synimet tona të përbashkëta për të ndërtuar dhe fuqizuar shtetin tonë brenda dhe jashtë tij”.
Shefja e diplomacisë po qëndron për vizitë zyrtare në Hagë ku do të takojë zyrtarë të lartë të shtetit dhe do të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi.