Policia del me ultimatum: Nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat që kanë policët e Kosovës do të ketë protesta
Sot ka qenë dita e fundit kur edhe Policia e Kosovës i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës që t’i plotësojë kërkesat që i ka ky institucion.
Kryetarja e Sindikatës së Policsë Valbona Kamberi, tha në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova se janë katër kërkesa që organet e rendit ia kanë paraqitur ekzekutvitit për t’i plotësuar.
Kamberi theksoi se kërkesat kanë të bëjnë me pagesen shtesë prej 300 eurosh, shujtën, pagesën e orëve shtesë si edhe pagesën e dinjitetshme të orëve të ndërrimit të natës.
“Sot ka qenë dita e fundit e afatit të cilët ne i kemi dhënë Qeverisë së Kosovës në realizimin e kërkesave. Kanë qenë kërkesa të drejtuar gjatë muajit korrik dhe gusht që i kemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrit. Janë kërkesa të arsyeshme. Kërksat janë edhe sa i përket Udhëzimit Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës. Janë katër kërkesa që i kemi paraparë”.
“Pakoja për 300 euro, shujta, pagesa e orëve shtesë, pagesa e dinjitetshme e orëve të natës. Policia e Kosovës që nga shfaqja e rasteve të para të pandemisë më 12 mars, kanë qenë me orar të zgjatur 12 orësh, përveç një hapësire kohore në muajin korrik që kanë qenë me orar të rregulltë”.
“Të gjitha orët nuk janë kompensuar. Janë kompensuar vetëm 60 për qind e orëve kurse pjesa tjetër është paraparë të kompensohet me pushim. Tani e dy javë policëve u kanë mundësuar që të marrin pushim nga pesë ditë por prapë orët nuk janë kompensuar drejtë, sa i përket pagesës së orëve shtesë. Kjo njëherit është kërkesë e jona, që të gjithë policët të kompensohet”.
Ajo shtoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga qeveria deri më tani lidhur me kërkesat e tyre.
E para e Sindikatës së policisë paralajmëroi se nëse kërkesat nuk do të plotësohen do të ketë edhe protesta.
“Që nga paraqitja e kërkesave asnjë reagim nga qeveria nuk ka pasur. Ne sot kemi qenë në Komisionin për Punë të Brendshme, ku ne i kemi paraqitur kërkesat tona. Ne kemi marrë përkrahje nga komisioni dhe anëtarët kanë shprehur shqetësimin për mosplotësimin e tyre”.
“Është marrë vendim që të formohet një grup punues me të cilin do të shikohet se si do të gjendet një zgjidhje. Shpresoj që nesër të takohemi me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm për të parë ku jemi me kërkesat sepse deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Protestat do të mbahen nëse kërkesat nuk plotësohen”.