Mbyllet çerdhja publike në Fushë-Kosovë, disa punëtorë rezultuan pozitivë me COVID-19
Çerdhja publike “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë është mbyllur përkohësisht, pasi disa punonjës të këtij institucioni kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Fushë-Kosovës, që ka thënë se zëvendësimi i punonjësve momentalisht është i pamundur.
“Njoftojmë prindërit që i kanë fëmijët e tyre në Çerdhen Publike në Fushë-Kosovë se ky Institucion do të mbyllet përkohësisht derisa të krijohen rrethana të reja të favorshme pune. Sot, pas testimit të stafit punonjës të IP “Gëzimi Ynë”, disa punëtorë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Zëvendësimi i këtyre punonjësve për momentin është i pamundur për shkak të procedurave. Për çdo njoftim apo vendim tjetër rreth kësaj çështjeje do të njoftoheni me kohë. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj prindër të nderuar”, thuhet në njoftim të Komunës në Facebook.