Dy libra që do ju sugjeroja miqve të mi
Një mik i imi vjenez, punonjës në Institutin vjenez për Europën dhe Politikat e Sigurisë, AIES, më pyeti sot se do ju duheshin dy libra , për Luftën në Kosovë dhe Pasluftën, cilët do ju sugjeroja që t’i kishin në bibliotekën e tyre.
E kisha menduar edhe më herët se cilët libra do të duhej të shin në shtëpinë e çdo shqiptari në Kosovë, por edhe më tej se kaq, në çdo njeriu të denjë të politikës, për të ditur saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe se si mund të ngrihet një e ardhme e kujdesshme, e menduar dhe e dobishme.
Nuk kisha ngurim në përgjigjen time. Megjithëse kam botuar shtatë libra për ngjarjet në Kosovë, herojtë dhe figurat e saj, skenat dhe paskenat, përplasjet dhe mëritë, përsëri kam bindjen se në çdo çdo bibliotekë duhet të jenë këto dy libra:
1. Ditari i mjekes së njohur, aktivistes dhe luftëtares Teuta Hadri, “Krimi që pashë me sytë e mi”, vëll.I dhe II., një dëshmi autentike e luftës që nga fillesat e saj, ku autorja, bijë e një familje të njohur atdhetare dhe e burgosur politike, sjell dëshmitë e sakta, ashtu si kanë ndodhur, përmes një gjuhe shprehëse, ngulitëse dhe domethënëse; dëshmon krimin që ka parë me sytë e saj, vrasjet dhe djegiet, luftën dhe qendresën, vuajtjet e një populli të tërë që kërkonte të ishte i mëvetishëm, i mosvarur; sjell me vertetësi të pabesueshme të vrtetën e asaj qqë ka ndodhur, dridhjet e zemrës, rreziqet, ndjekjet e vazhdueshme, miqësinë dhe sakrificën, të vërtetën për masakrat që kanë ndodhur, që nga vrasjet e Familjes Jashari, ku ajo do të jetë e pranishme në demaskimin e propogandës serbe, dhe do të jetë zëri i parë në mediat ndërkombëtare për luftën në Kosovë.
2. Libri i politologut erudit dhe pjesë e rëndësishme e drejtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish i burgosur politik dhe ish ministër i Jashtëm i Kosovës, Bardhyl Mahmuti, “Mashtrimi i madh”, përmes të cilit bëhet demaskimi i gjithë propogandës serbe të pasluftës, dëshmohet er vërteta me sajesat e paskrupullta të institucioneve të tëra të shtetit serb, demantohen të dhënat e fabrikuara.
Është , pa dyshim, libri që sjell në përmasa të pazakonta, jo vetëm punën e madhe , serize dhe të përkushtuar të një analisti të dorës së parë, por edhe saktësinë e të vërtetës, duke demaskuar mashtrimin e madh.
Miku im më dëgjoi dhe më tha qetësisht :
-Librin e Bardhylit e kemi në tri gjuhë, librin në dy pjesë të Teuta Hadrit po e porosis tani në Prishtinë.
Sa mëkat është që institucionet e Kosovës nuk kanë bëë thuaj asgjë për përhapjen e këtyre librave kudo në botë.
Do të kishin bërë punë më shumë se sa një grumbull ambasadash dhe konsullatash të marra sëbashku, ku janë grumbulluar gjithëfarë miqsh dhe farefisni të pavlerë.