AKP-ja thotë se nga tërheqja e mjeteve nuk rrezikohen kreditorët
Qeveria e Kosovës ka paraparë që pakoja për rimëkëmbje ekonomike ta kapë vlerën e 385 milionë eurove, mirëpo ende nuk ka kaluar Ligji për rimëkëmbje ekonomike, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës gjenden në pushim dhe në kuadër të këtij ligji është paraparë edhe bartja e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Kujtojmë se në prill të këtij viti AKP-ja ka bartur në buxhetin e Kosovës 55 milionë euro. Kjo agjenci ka filluar procedurat e transferimit të 55 milionë eurove në buxhetin e shtetit të Kosovës ku, sipas APK-së, me këtë transferim të mjeteve, shuma e cila është kaluar në buxhetin e Republikës së Kosovës deri në atë kohë ishte 381 734 330 milionë euro.
Kjo është bërë me dije nga një komunikatë për media, ku është thënë se bordi i drejtorëve të AKP-së ka vendosur që 55 015 326 milionë euro të “Fondeve të Përkohshëm” të transferohen në buxhetin e Kosovës. “Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare i Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të rregullt ku u azhurnua mbi zhvillimet dhe aktivitetet e fundit gjatë muajit mars, ku diskutoi për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin e vet ligjor dhe mori vendime të rëndësishme”, është thënë në komunikatë.
Mirëpo sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimi (AKP), nga tërheqja e këtyre mjeteve assesi nuk do të rrezikohen kreditorët.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me mandat të qartë të transformimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre përmes një procesi transparent të privatizimit dhe likuidimit të tyre. Në bazë të mandatit ligjor, AKP-ja është e obliguar që të kujdeset për ruajtjen dhe rritjen eventuale të vlerës së aseteve të ndërmarrjeve shoqërore deri në procesin e privatizimit dhe likuidimit, si dhe në kujdesin që duhet të ketë për shpërndarjen e të ardhurave të 20-përqindëshit për ish-punëtorët dhe kreditorët e kualifikuar të ndërmarrjeve shoqërore”, është thënë në përgjigjen e Zyrës për Informim të AKP-së dhënë për gazetën “Epoka e re”.