Liderë të Kosovës e Serbisë takohen në Shtëpinë e Bardhë me 2 shtator
Emisari special i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka bërë të ditur se liderë të Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington më 2 shtator për bisedime.
Grenell këtë e ka bërë të ditur përmes një cicërime në Twitter sot në mëngjes.
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, më 2 shtator për të biseduar”, ka shkruar ambasadori Grenell.
Një takim në Uashington mes krerëve të Kosovës e Serbisë ishte paraparë për 27 qershor, por ishte anuluar pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.
Takimin e 2 shtatorit e ka përshëndetur ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Ndërkohë, më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet në shtator.
Gjatë një vizite kohët e fundit në Uashington, bashkërenduesi i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni tha për Zërin e Amerikës se Prishtina e sheh rolin e SHBA në dialogun Kosovë-Serbi si të pazëvendësueshëm dhe se kishte marrë angazhimin e Uashingtonit në këtë drejtim.
Ai tha se dialogu me Serbinë duhet të marrë një dinamikë të re dhe duhet të kulmojë me njohje reciproke.