GLPS: MD shkeli legjislacionin kur draftoi tri udhëzimet administrative për të akuzuarit nga Specialja
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj Ministrisë së Drejtësisë për tri udhëzime administrative, për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale, mbështetjen financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së tyre, dhe kompensimin e të akuzuarve, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.
Sipas GLPS-së, draftimi i tyre në kohën kur janë ngritur aktakuza ndaj personave me pozita të larta shtetërore “tregon tendencen e Ministrisë së Drejtësisë për shkeljen e legjislacionit në fuqi, abuzimin financiar me fondin e dedikuar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe keqpërdorimin e konceptit të ndihmës së nevojshme juridike”.
GLPS i ka bërë thirrje MD-së që të njëjtat dokumente t’i rishqyrtojë dhe t’i vëjë theks disa pikave:
“Udhëzimi administativ për mbrojtjen juridike përcakton procedurën e mbulimit të shpenzimeve të mbrojtjes juridike të personave të akuzuar pranë Gjykatës Speciale. Asnjëri prej ligjeve që e rregullojnë këtë aspekt nuk e njeh të drejtën e secilit të akuzuar për kompenzimin e mbrojtjes së tij/saj. Një e drejtë e tillë i garantohet vetëm atyre që dëshmojnë që nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar mbrojtjen e tyre. Kjo ngaqë Ligji Nr. 05/L-053 ka përcaktuar si kriter primar pamundësinë e të akuzuarit potencial ta paguajë një mbrojtje të tillë. Një gjë e tillë nuk reflektohet fare në këtë udhëzim meqënëse i njejti ju njeh këtë të drejtë të gjithë të akuzuarve dhe nuk përcakton asnjë modalitet për dëshmimin e pamundësisë financiare për mbrojtje juridike. Dhe një rregullim i tillë i ofruar nga ky udhëzim administrativ është në kundërshtim me dy ligjet përkatësë. Së dyti, udhëzimi në fjalë dështon të ofrojë kritere të qarta se ku duhet bazuar Komisioni për vlerësimin e kërkesës për mbrojtje juridike. Kjo ngaqë ky udhëzim përmend si kritere arsyeshmërinë, efikasitetin, efektivitetin dhe atë të tregut duke e lënë të hapur mundësinë e keqinterpretimit të këtyre kritereve. Njëkohësisht, tek parimet dhe kriteret për vendimmarrje në Komision të përcaktuara në nenin 15 të udhëzimit, bazë për përcaktimin e tyre janë tarifat e Odës së Avokatëve të Kosovës, tarifat për avokatë në Holandë, tarifat nga shtetet tjera prej nga vjen mbrojtësi dhe, tarifat për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara. Kjo e fundit është tërësisht e paqartë si mjet për përcaktimin e shumës për mbrojtje dhe konfuze se ku është e bazuar. Prandaj një rregullim i tillë i cili së pari, nuk përcakton limitin e shumës që mund të kompenzohet dhe së dyti, përdor terme konfuze dhe të paqarta, ofron mundësi keqpërdorimi dhe abuzimi financiar të këtij fondi. Së katërti, neni 17 i këtij udhëzimi përcakton që dokumentacioni për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike trajtohen sipas Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë si dhe Vendimin e Kryeministrit Nr. 2192/2019, të datës 31.01.2019. Ky vendim përcakton që çdo informatë që ndërlidhet me Gjykatën Speciale është informacion i nivelit (Sekret) dhe përjashtim nga kjo rregull janë vetëm informatat që kanë të bëjnë me mjetet e shpenzuara financiare lidhur me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare. Një rregullim i tillë është tentim për abuzim financiar dhe shkelje e parimit të transparencës dhe llogaridhënies, meqenëse burimi financiar i cili përdoret për realizimin e qëllimit të këtij udhëzimi është buxheti i Republikës së Kosovës dhe për çdo shpenzim të tij garantohet e drejta për informim qytetar të çdo pale me interes. Dhe një gjë e tillë po tentohet të minohet më klasifikimin (Sekret) të dokumenteve që dëshmojnë se ku dhe si po shpenzohet paraja publike. Së pesti, sipas këtij udhëzimi me nenin 11, shpenzimet mujore të mbrojtjes juridike mund të tejkalohen nëse Komisioni e vlerëson të drejtë. Një e mundësi e tillë i është dhënë Komisionit pa asnjë kufizim ose kriter në të cilin i njëjti duhet të bazohet për aprovimin e një procedure të tillë.
Ndërsa, udhëzimi administrativ për mbështetjen financiare të anëtarëve të familjes së të akuzuarve me anë të nenit 5 përcakton që brenda një viti çdo person i akuzuar ka të drejtë të vizitohet nga më së shumti 12 anëtarë të ngushtë të familjes; në secilën vizitë nuk mund të jenë më shumë se tre persona; dhe secila vizitë duhet të jetë 3 ditë. Udhëzimi nuk kufizon numrin e vizitave të cilat mund të realizohen brenda një periudhe kohore duke e lënë kështu hapësirën që një gjë e tillë të keqpërdoret. Për më tepër, paragrafi 3 i këtij neni i njeh mundësinë Ministrit të Ministrisë së Drejtësisë që të lejoj realizimin e vizitave shtesë për anëtarët e ngushtë të familjes, kompetencë kjo e cila i takon Komisionit. Një rregullim i tillë ofron mundësinë e krijimit të situatave diskriminuese, ndërhyrjes së kompetencave si dhe keqpërdorimit të fondit të paraparë. Së treti, neni 7 i udhëzimit përcakton që biletat e udhëtimit sigurohen përmes operatorit të kontraktuar nga Ministria në lartësinë e biletës së udhëtimit të klasit ekonomik varësisht nga mjeti i transportit që zgjidhet. Ky nen nuk përcakton limitin e shumës që mund të kompenzohet për një udhëtim të tillë duke lënë mundësinë e hapur për shpenzime të panevojshme të cilat mund të reduktohen dhe të mos shërbejnë si mjet keqpërdorimi të parasë publike”.