Ministri me hoxhën në Burgun e Sigurisë së Lartë: Të burgosurit duhet t’i trajtojmë me dinjitet
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i shoqëruar nga Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Sabri Bajgora dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues (ShKK), Nehat Thaçi, kanë vizituar burgun e sigurisë së lartë në Gërdoc të Podujevës.
Pas vizitës, ministri Selimi ka bërë të ditur se është takuar me tre grupe të të burgosurve për t’i dëgjuar ankesat dhe kërkesat e tyre, njofton Klan Kosova.
“Në këtë ditë të tregojmë që shteti i Kosovës buron autoritetin e vetë prej Kushtetutës e Kushtetuta buron dinjitetin si bazë për të gjitha të drejtat tjera të njeriut. Ne të gjithë këtyre personave që janë duke paguar borxhin shoqërisë për veprat penale që i kanë bërë duhet t’i trajtojmë me dinjitet dhe duhet me iu dhënë mundësi që ata ta kryejnë këtë borxh ndaj shoqërisë tonë ashtu siç e ka paraparë Gjykata. Përveç dënimit që është pjesë e kryerjes së këtij borxhi duhet të kemi edhe pjesën shpirtërore apo pjesën e pendimit dhe ajo është pjesa individuale e esenciale”.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sadri Bajgora, tha se përmes kësaj vizite në këtë ditë të veçantë për besimtarët myslimanë kanë dashur të përçojnë mesazhin se në festa të gjithë janë të barabartë.
“Ishte një emocion i veçantë për të gjithë neve por megjithatë siç e tha edhe ministri kjo shoqëri ka një obligim ndaj këtyre njerëzve t’iu ofrojë kushte për një jetë të dinjitetshme edhe në burg, por gjithnjë me porosi që ata të reflektojnë për të kaluarën e tyre duke u penduar për atë që kanë bërë dhe unë shpresoj që këta njerëz pas daljes nga ky vend do jenë pjesëtarë të denjë të shoqërisë… Kjo festë është që ne na bashkon sot në vend të familjeve tona kemi përzgjedhur këtë vend që t’ua përçojmë mesazhin se në festa jemi të gjithë të barabartë”, theksoi kryeimami.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi u shpreh se vizita e sotme dëshmi se institucionet e Kosovës kanë obligim që të burgosurit t’i rehabilitojë dhe t’i bëjë të gatshëm për të ardhmen e tyre jashtë grilave.
“Ishte mesazh vërtetë i qartë, ishte një dëshmi e cila dita-ditës ne po e dëshmojmë që institucionet e Kosovës konkretisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka obligim që të gjithë të burgosurit këtu t’i rehabilitojë dhe risocializojë. Një prej hapave për risocializim dhe rehabilitim të tyre është edhe vizita e sodit”.
Vizitë Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës
Julkaissut Selim Selimi Perjantaina 31. heinäkuuta 2020