Gati dy javë në izolim, deputeti kosovar thotë se ka përjetuar vetëreflektim të çuditshëm
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Uka ka gati dy javë që është izoluar pasi i janë shfaqur simptoma të Covid-19 dhe mandej ka rezultuar pozitiv.
E sot përmes një rrëfimi në rrjetin social, deputeti ka treguar se gati dy javë izolim kanë shërbyer për një vetëreflektim të çuditshëm.
Ai thotë se përpos vërtetimit të tezës së kahershme që “shëndeti vlen më shumë kur na rrëmben sëmundja”, e ka menduar për çdo ditë edhe segmentin e hollë që e ndan jetën nga vdekja.
Madje Ukaj shprehet se e ka vështirë ta pranoj se virusi që ka helmuar edhe gjakun e tij po i mbyt njerëzit.
“E vështirë që të pranoj, që njerëzit vdesin prej të njëjtit virus që ka helmuar edhe gjakun tim. Pikëllohem për secilën jetë që shuhet sikur ta kisha njohur, sepse e kam provuar me lëkurën time sfidën që ata (nuk) e kanë kaluar. Sikur secili ta dinte sa e rëndë dhe e vështirë është mbase do të ishim më të kujdesshëm”, është shprehur Ukaj.
Dhe, për fund ai shton se është pothuajse hyjnore mënyra se si mbështetja e njerëzve shëron, pasi secila fjalë dhe mesazh mbështetës për të, ka qenë goditje për virusin.
“Bashkë me ndihmën tuaj, unë e kam gati që të mposht virusin, por triumfi individual është i pakuptimtë përballë dështimit të përgjithshëm. Prandaj, po ju lus për më shumë kujdes”, ka shkruar mes tjerash deputeti./FaktePlus