Kalon 150,000 numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA
Shtetet e Bashkuara regjistruan 1,267 viktima nga koronavirusi në 24 orë, njoftuan autoritetet shëndetësore të mërkurën vonë.
Me këtë shifër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i viktimave në SHBA kalon 150,000.
Numri i vdekjeve nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka qenë në rritje në SHBA për tri javë rresht, pasi numri i rasteve të reja pozitive është rritur në shtetet: Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksas.
Situata ka bërë që këto shtete dhe të tjera të ngadalësojnë hapat për rihapjen e biznesve, të cilat janë mbyllur në mars dhe në prill, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Numri i viktimave në SHBA, prej 150,649, paraqet rreth një të katërtën e numrit global të të vdekurve nga koronavirusi, që është afro 665,000.
Numri i të infektuarve në gjithë botën është afro 17 milionë.
Numri i viktimave në Shtetet e Bashkuara është më i lartë se në çdo vend tjetër, por për shkak të popullsisë së madhe, prej më shumë se 330 milionë banorësh, SHBA-ja renditet e gjashta për nga numri i vdekjeve për kokë banori, pas Britanisë së Madhe, Spanjës, Italisë, Perusë dhe Kilit.