Facebook po teston dizajnin e ri për faqet, e largon edhe butonin “Like”
Facebook tashmë ka filluar të testojë një layout të ri për faqet (Pages), ku përfshihen ndryshime të shumta në dukje, por ndryshimi më i madh potencial është largimi i opsionit “like”, ku synohet që të mbetet vetëm opsioni “follow”.
Synimi i këtyre ndryshimeve, sipas Facebook, është që të bëhet një dizajn më praktik, në mënyrë që menaxhuesve të faqeve të iu bëhet më i lehtë përdorimi i funksioneve të këtij rrjeti social.
Këto veçori janë testuar tek një numër i vogël i faqeve të figurave publike në aplikacionin mobil, por tashmë Facebook e ka zgjeruar rrethin e faqeve që mund ta testojnë këtë dizajn të ri.
Qëllimi i këtij përditësimi është që përdorimi i faqeve të thjeshtohet shumë, sepse Facebook ka kuptuar se për momentin është jo pak e komplikuar për shumë përdorues një gjë e tillë.
Ndërsa, një nga dallimet kryesore është se, opsioni “like” do të largohet dhe do të mbetet vetëm opsioni “follow”. Dallimi mes këtyre butonëve është se nëse e bën faqen like, automatikisht të shfaqet në News Feed, por ti mund ta zgjedhësh opsionin “unfollow” dhe postimet nuk të shfaqen më. Kurse, nëse e përdor vetëm opsionin “follow”, postimet do të shfaqen por ti nuk e ke “like” faqen. Facebook si duket po synon që ta thjeshtësojë gjithë këtë duke lënë vetëm opsionin “follow”.
Ndër ndryshimet tjera, do të bëhet më e thjeshtë që të manovrosh nga profili në faqe, do të ketë ndryshime edhe në mënyrën se si i jepet qasje një përdoruesi në faqe, me funksione të veçanta etj.
Nuk dihet se kur ky dizajn dhe këto ndryshime do të jenë në dispozicion për masën dhe se a do të jenë finale, pasi që për momentin janë vetëm në fazën testuese.