Javën e ardhshme Gjykata i vendos masën e sigurimit shtëpisë 1 milionëshe të shoqërisë civile
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë Aktvendim të vendosë masën e sigurimit për shtëpinë e shoqërisë civile, por për ta bërë të plotfuqishme këtë vendim ka kërkuar nga paditësit që t’i deponojnë 9 mijë euro si masë e sigurimit nëse të paditurve iu shkaktohet ndonjë dëm gjatë kohës kur vendimi është në fuqi.
Aktvendimin e ka nxjerr gjyqtarja Lendita Berisha, më 15 korrik, derisa kundër këtij vendimi s’lejohet ankesë.
“…Gjykata ka vendosur t’i detyrojë propozuesit e sigurimit, që në emër të garancisë për masën e sigurimit të deponojnë secili shumën prej 3 mijë euro, gjithsejtë shumën prej 9 mijë euro”, thuhet në Aktvendimin e Themelores.
Avokati i paditësve (Astrit Istrefi, Burim Ejupi dhe Visar Azemi), Kushtrim Palushi, ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të deponohen mjetet për t’i hapur mundësi Gjykatës të vendosë masën e sigurisë për shtëpinë e shoqërisë civile.
“Paditësit duhet të bëjnë pagesën e garancionit. Gjatë javës pritet me u vendosë”, ka thënë Palushi, për Express, të dielën.
Sidoqoftë, tre paditësit, në seancën gjyqësore, kishin kërkuar nga Gjykata që të caktojë një masë të përkohshme, pasi thonë se kanë frikë që Jeta Xharra e Dajana Berisha bashkë me anëtarët e rinj të bordit, mund të tjetërsojnë pronën prej 1 milion eurove të blerë me ndihmën e Haki Abazit.
Më 3 korrik, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore kundër Jeta Xharrës dhe Dajana Berishës pas padisë që është ushtruar ndaj tyre nga Astrit Istrefi, Burim Ejupi e Visar Azemi lidhur me një kontest që ndërlidhet me Fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile SHC”, OJQ që e kishin bashkëthemeluar.
Astrit Istrefi, Burim Ejupi, Visar Azemi, Jeta Xharra e Dajana Berisha në vitin 2017 ishin bërë bashkë për të themeluar Fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile SHC”. Të 5-it ishin caktuar anëtar të Bordit, derisa ishin ndihmuar edhe nga Haki Abazi (zyrtar i lartë në Vetëvendosje dhe zëvëndëkryesministër në qeverinë e Kurtit), i cili kishte arritur të thithte një donacion prej 1 milion eurosh nga Rockfeller Brothers Fund, me seli në New York. Për gjithçka që ka ndodhur më pas, verdiktin final pritet ta japë Gjykata, pasi që Istrefi, Ejupi dhe Azemi kanë ngritur padi ndaj Jeta Xharrës dhe Dajana Berishës, pasi siç pretendojnë ata, Xharra dhe Berisha kundërligjshëm kanë mbajtur takim ku i kanë shkarkuar ata nga bordi dhe i kanë zëvendësuar me Faik Ispahiun, Fatos Lajçin dhe Luan Dalipin (shef i stafit të Kurtit sa ishte kryeministër). Paditësit kanë dorëzuar padi edhe ndaj Ministrisë së Administratës Publike, meqenëse Departamenti për OJQ ka rifreskuar të dhënat e Fondacionit me ndryshimet e bëra nga takimi mes Jeta Xharrës, Dajana Berishës dhe Haki Abazit.
Siç thuhet në padinë e Istrefit, Ejupit dhe Azemit, pas themelimit të Organizatës më 29 maj të vitit 2017, kishin dorëzuar në mënyrë të shkruar edhe Aktin e Themelimit ku kishin përcaktuar: themeluesit e fondacionit, bordin e drejtorëve dhe përfaqësuesin e autorizuar të fondacionit.
Themeluesit e këtij Fondacioni në padi thuhet se janë: Astrit Istrefi, Burim Ejupi, Visar Azemi, Jeta Xharra dhe Dajana Berisha (Përfaqësuese e Autorizuar e Fondacionit e zgjedhur nga Bordi i Drejtorëve).
Istrefi, Ejupi dhe Azemi, siç tregojnë detajet e rastit në padinë e tyre, në mes të datave 11 deri më 20 gusht të vitit 2019, në cilësinë e anëtarëve të bordit kishin dërguar shkresa zyrtare tek anëtarët e tjerë të bordit për të mbajtur mbledhjen e rregullt të Bordit të Fondacionit, megjithatë thonë se nga Jeta Xharra dhe Dajana Berisha nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje.
Ata thonë se Dajana Berisha në cilësinë e Përfaqësueses së Autorizuar të Fondacionit, më datë 5 gusht të vitit 2019, kishte thirrur në një takim të rregullt vetëm Jeta Xharrën që ishte drejtuar nga Haki Abazi, meqë ky i fundit kishte ndihmuar në blerjen e objektit prej 1 milion eurove që do të shërbente për aktivitetet e fondacionit.
Në mbledhjen e datës 5 gusht, siç thuhet në Padi, Dajana Berisha ka emëruar tre anëtarë të rinj të Fondacionit, duke i zëvendësuar Istrefin, Ejupin dhe Azemin, me Faik Ispahiun, Fatos Lajçin dhe Luan Dalipin.
Sipas paditësve, Dajana Berisha ka vepruar në kundërshtim me Statutin e Fondacionit dhe ka zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme anëtarët e rinj të bordit të drejtorëve të Fondacionit.
Istrefi, Ejupi dhe Azemi në padinë e tyre thonë se takimi i 5 gushtit është i kundërligjshëm meqë s’ka pasur kuorum për të mbajtur mbledhjen, meqë aty kanë munguar 3 anëtarët e bordit dhe kanë marrë pjesë vetëm Jeta Xharra dhe Dajana Berisha.
Të tre kanë ngritur padi kundër Ministrisë së Administratës Publike përkatësisht Departamentit për Organizata Joqeveritare, pasi thonë se këta të fundit kanë legjitimuar ndryshimet e bëra në organogramin e Fondacionit me datë 5 gusht.
Duke parë një gjë të tillë, më pas më 30 gusht Istrefi, Ejupi dhe Azemi kanë mbajtur një mbledhje të Bordit të Fondacionit, ku kishin vendosur që të shkarkonin Dajana Berishën nga pozita e Përfaqësueses së Autorizuar të Fondacionit duke e zëvendësuar atë me Learta Hollajn.
Për këto ndryshime thonë se më pas në mënyrë zyrtare kanë njoftuar të gjithë anëtarët e Bordit të Fondacionit, megjithatë thonë se s’kanë marrë kurrfarë përgjigje nga Jeta Xharra.
Më pas ata thonë se i janë drejtuar edhe Ministrisë së Administratës Publike-Departamentit të Organizatave Joqeveritare, ku i kanë kërkuar që të ri përditësojnë ndryshimet e bëra nga mbledhja e 30 gushtit.
Por thonë se nga Ministria e Administratës Publike-Departamenti i OJQ-ve, ishin njoftuar për herë të parë zyrtarisht për ndryshimet e bëra më 5 gusht si rezultat i mbledhjes së mbajtur vetëm nga Dajana Berisha dhe Jeta Xharra e që ishte drejtuar nga Haki Abazi, derisa tregojnë se u është refuzuar kërkesa e tyre për të përditësuar në dokumentacionet e OJQ-së, shkarkimin e Dajana Berishës dhe zëvendësimin e saj me Learta Hollajn.
Pas gjithë kësaj tollovie, siç thonë në padinë e tyre, Ministria e Administratës Publike përkatësisht departamenti për OJQ ka udhëzuar palët që për çdo mosmarrëveshje t’iu drejtohen organeve gjyqësore.
Istrefi, Ejupi dhe Azemi në padinë e tyre kërkojnë nga Gjykata që të shfuqizojnë vendimin e Ministrisë së Administratës Publike- Departamentit të OJQ-së, pasi thonë se më një vendim të tillë të treve si anëtarë të bordit të Fondacionit u mohohet edhe shfrytëzimi i objektit i cili ishte blerë në vlerë prej 1 milion eurove.
Tre paditësit në padinë e tyre thonë që ekziston edhe rreziku real që Jeta Xharra dhe Dajana Berisha mund të marrin ndonjë vendim për ndryshimin e pronësisë së objektit që kushton 1 milion euro. Paditësit thonë se Jeta Xharra dhe Dajana Berisha mund ta bartin pronësinë e objektit të fondacionit tek organizatat e tyre që drejtojnë ( Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN- Jeta Xharra dhe Forumi për Iniciativa Qytetare- Dajana Berisha).
Paditësit në padinë e tyre kanë kërkuar që të hudhen poshtë vendimet e takimit të Jeta Xharrës, Dajana Berishës dhe Haki Abazit. Gjithashtu kanë kërkuar që të caktohet një masë e përkohshme e cila kufizon veprimtarinë e Përfaqësueses së Autorizuar dhe Bordit të Drejtorëve të Fondacionit.
Kërkohet që të mos lejohen lidhje të kontratave në emër të Fondacionit për tjetërsimin e pronës, të mos lejohen edhe emërime të anëtarëve të bordeve dhe të mos lejohet ndonjë nismë për shpërbërjen e Fondacionit.
Haki Abazi kishte dhënë një sqarim publik për shtëpinë një milionëshe të shoqërisë civile dhe kishte sulmuar mediat për mënyrën se si kanë raportuar për këtë rast.