303 pacientë me koronavirus po trajtohen në tërë Kosovën
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 132 raste të reja me koronavirus, kështu duke e çuar në 5 mijë e 369 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Sipas të dhënave zyrtare të IKSHPK-së, numri i rasteve aktive me koronavirus në vendin tonë është, 2 mijë e 706 dhe nga ta, vetëm 303 janë duke u trajtuar në Klinikat e QKUK-së dhe në Spitalet e Përgjithshme.
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se vetëm në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 96 pacientë të prekur me koronavirus, në atë të Pulmologjisë janë 53 raste të konfirmuara me koronavirus, përderisa po në të njëjtën klinikë janë edhe 33 persona që janë duke u trajtuar, por që nuk janë të konfirmuar me COVID-19.
Po ashtu edhe në Klinikën e Mjekësisë Sportive janë duke u trajtuar 17 persona të prekur me koronavirus dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus që po trajtohen në QKUK është 166.
Ndërkaq MSH-ja ka bërë të ditur se në Spitalin e Prizrenit janë duke u trajtuar 30 pacientë të prekur me koronavirus, 22 në Spitalin e Gjakovës dhe sipas të dhënave që të gjithë pacientët janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Ndërkaq në Spitalin e Pejës janë 57 persona me koronavirus të cilët po trajtohen në këtë spital dhe 20 prej tyre janë me oksigjenoterapi.
Po ashtu edhe në Spitalin e Ferizajt janë duke u trajtuar personat e prekur me koronavirus. Sipas të dhënave janë 8 pacientë me koronavirus që po trajtohen në këtë spital.
Ndërkaq në Spitalin e Gjilanit janë 19 persona me koronavirus të cilët po marrin trajtim mjekësorë dhe në Spitalin e Mitrovicës është vetëm një person që është duke u trajtuar, kurse në atë të Vushtrrisë nuk ka asnjë person të prekur me koronavirus që është duke u trajtuar.
Duke iu referuar këtyre të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i pacientëve që po marrim trajtim nëpër spitalet rajonale është 137.
Pra numri i përgjithshëm i pacientëve të prekur me koronavirus që po trajtohen në QKUK dhe në spitalet rajonale është 303.