IKSHPK tha se dje në Deçan u konfirmuan dy raste me koronavirus, në komunë thonë se u njoftuan vetëm për një rast
Testimi i personave të dyshimtë për Coronavirus dhe publikimi i rezultateve nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është duke u kritikuar nga qytetarët por edhe nga disa prej komunave.
Së fundmi lidhur me rezultatin e personave të infektuar me COVID-19 për datën 14.07.2020 të publikuara nga IKSHPK-ja për komunën e Deçanit siç duket ka pasur ngatërresa.
Instituti dje njoftoi se nga mostrat e marra për datën 14 korrik 2020 në komunën e Deçanit kanë rezultuar pozitiv dy persona.
Mirëpo për dallim nga ky njoftim i IKSHPK-së, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj përmes një njoftimi në Facebook, ka shkruajtur se nga IKSHPK janë njoftuar për një rast të infektuar me COVID-19.
“Nga IKShP u njoftuam që sot e kemi edhe një person të infektuar nga #COVID19 në Komunën e Deçanit. Kurse numri total i të infektuarve me virusin #COVID19 në komunën tonë ka arritur në 12. Rritja e numrit të rasteve dhe shpejtësia e shpërndarjes së virusit SARS-CoV-2, është tregues se duhet të jemi më të kujdesshëm në respektimin e udhëzimeve sepse numri i të prekurve është më i madh se i të identifikuarve” ka shkruar Ramosaj.
E shefi i shtabit emergjent në këtë komunë, Izet Zenuni ka thënë se zyrtarisht nga IKSHPK-ja janë njoftuar vetëm për një rast me COVID-19, raporton Telegrafi.
“Zyrtarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dje jemi njoftuar vetëm për një rast me COVID-19 që është një doktoreshë. Nuk e dimë arsyen se përse në konferencë për shtyp kanë deklaruar se janë dy raste. Kemi provu me kontaktu me institutin mirëpo nuk kemi mundur”, ka thënë Zenuni.
Ankesa për vonesën e kumtimit të rezultateve nga IKSHPK-ja pati dje edhe nga drejtoria e Shëndetësisë në komunën e Pejës.
“Me gjithë̈ respektin për punën e drejtuesve ,specialistëve dhe stafit të IKSHPK-së në Prishtinë është e pakuptueshme, vonesa e kumtimit të rezultateve Pozitive apo Negative, nga mostrat e marra të pacientëve.Vonesa si këto, çdo orë dhe çdo ditë po e rëndojnë sistemin shëndetësorë, edhe ashtu të ngarkuar në komunën dhe rajonin e Pejës”, thuhej në reagimin e tyre.
Reagim ka pasur edhe nga komuna e Gjilanit. “Më lejoni ta shprehim shqetësimin tonë rreth vonesave në në përpunimin e rezultateve. Pritja e gjatë për rezultate për Komitetin e Gjilanin është e pakuptimtë. Apeloj publikisht tek IKSHP që mos i vonojnë rezultatet e testeve sepse njerëzit janë në vetizolim. Nuk është në rregull që qytetari të pres një javë për rezultat”, ka thënë nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli.