Ministri Kuçi takohet me përfaqësuesit e Telekomit, i kërkon rekomandime për daljen nga gjendja momentale
Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Bordit, Menaxhmentit dhe Sindikatës së Telekomit të Kosovës, pas bllokimit të xhirollogarive nga përmbaruesi privat.
Kuçi atyre u kërkoi të propozojnë rekomandime për dalje nga gjendja aktuale.
“Përpos diskutimit, ministri kërkoi nga Bordi i Ndërmarrjes që të propozojnë rekomandime për dalje nga gjendja e bllokimit të xhirollogarive bankare dhe vazhdimit tutje të funksionimit të ndërmarrjes”, thuhet në komunikatë.
Kuçi u zotua se me të gjitha mundësitë ekzistuese do të bëhet zgjidhja më e mirë, përcjell FaktePlus.
Po ashtu, ai kërkoi nga drejtuesit e organeve të Telekomit të raportojnë në tërësi për rrjedhën e këtij rasti dhe hapat që janë ndjekur në secilën fazë, si dhe për performancën e ndërmarrjes.
Komunikata e plotë:
Ministri Kuçi takoi Bordin, Menaxhmentin dhe Sindikatën e Telekomit
Prishtinë, 16 .07.2020 – Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në takim informues dhe raportues Bordin, Menaxhmentin dhe Sindikatën e Telekomit të Kosovës.
Tema bosht e diskutimit ishte gjendja e krijuar së fundi në Telekomin e Kosovës, pas bllokimit të xhirollogarive bankare nga përmbaruesi privat.
Ministri Kuçi kërkoi nga drejtuesit e organeve të Telekomit që të raportojnë në tërësi për rrjedhën e këtij rasti dhe hapat që janë ndjekur në secilën fazë. Gjithashtu, nga menaxhmenti u kërkua të raportohet për përformancën e tanishme të kësaj ndërmarrje publike.
Përpos diskutimit, ministri kërkoi nga Bordi i Ndërmarrjes që të propozojnë rekomandime për dalje nga gjendja e bllokimit të xhirollogarive bankare dhe vazhdimit tutje të funksionimit të ndërmarrjes.
Ndërsa, Sindikatës së Telekomit iu tha se bashkëndjejmë me punëtorët, të cilët janë të shqetësuar për situatën, pikërisht në këtë kohë pandemie.
Ministri Kuçi përsëri u zotua se me të gjitha mundësitë ekzistuese do të bëhet zgjidhja më e mirë.
Për këtë arsye është anuluar edhe agjenda e rregullt e sotme e ministrit Kuçi.