As pas nëntë muajve Komuna e Prishtinës nuk i nisi punimet për parkingun nëntokësor
“Parkingu me një investim mbi 10 milionw euro do të fillojë ndërtimin së shpejti ndërsa punimet do të zgjasin 18-24 muaj”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në tetor të vitit të kaluar pasi kishte nënshkruar kontratë me konzorciumin “PESSINA Construzioni & JAHA & Pessina Gestioni Srl” për ndërtimin e parkingut nëntokësor të Fakulteti Filologjik.
Pas shumë zvarritjeve, lajmi.net ka kuptuar se punët është dashur të nisin në javën e kaluar. Autoritet komunale nuk kanë pranuar të zbulojnë asnjë informatë lidhur me atë se kur do të nisë ndërtimi dhe pse nuk ka nisur deri më tani.
“I kemi detyrat e ndara me parkingjet po merret nënkryetari Selim Pacolli”, ka thënë javën e kaluar nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi në një intervistë.
Nënkryetari Pacolli ka refuzuar të japë çfarë do detaji lidhur më këtë çështje. E, nuk ka pranuar të prononcohet as kryetari Ahmeti.
Për njërin prej investimeve më madhorë në Prishtinë nuk është në dijeni as asambleja komunale, madje as vetë njerëzit e afërt të kryetarit Ahmeti. “Nuk jam në dijeni kur do të nisë as pse nuk ka nisur”, tha Adrian Berisha, asamblist i PSD-së në KK të Prishtinës.
“Ka pasur fjalë se parkingu është dashur të fillojë së ndërtuari javën e kaluar. Deri më tani më duket se janë zhagitur tek analiza e kostos, por edhe Selim Pacilli ka shfaqur disa ambicie për të ndryshuar pak projektin puna disa lokaleve. Janë edhe disa probleme tjera”, tha jozyrtarisht një zyrtar i komunës së Prishtinës.
Në muajin mars të këtij viti, zëdhënësja e komunës se Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë se nuk ka pasur asnjë problem, por që vonesat kanë ardhur si pasojë e motit të lig.
“Kontrata është nënshkruar, janë duke u kryer disa procedura administrative. Kontrata i ka të gjitha kushtet, kështu që nuk ka dinamik të punë të cilës e kanë prezantuar. Nuk e dimë saktë, janë edhe disa procedura që duhet mu përfunduar d.m.th me u përgatit terreni për fillimin e punimeve. Nuk ka asnjë problem, kontrata është nënshkruar dhe ajo duhet të zbatohet. Vetëm për shkak të kushteve atmosferike ka qenë ftohtë nuk ka qenë sezoni i ndërtimit. Koha fillon të matet që nga dita që është nënshkruar kontrata. Duhet me qenë kushtet optimale për më mujt me nis punët e infrastrukturës”, ka thënë Mullafazliu.
Hartimi i projektit ishte bërë në vitin 2016 dhe kishte zgjatur afërsisht 9 muaj (në bashkëpunim me kompaninë konsulente Deloitte). Janë hartuar: Studimi i fizibilitetit; Kërkesa për propozim; Kërkesa për kualifikim; dhe kontrata e cila ëhstë lidhur në tetor të vitit 2019 në mes Komunës së Prishtinës dhe me konzorciumin Jaha Company & Ronstruzioni Spa.
Komuna ishte drejtuar në Komitetin Ndërministror për PPP, më 17 janar 2017. Komiteti Ndërministror për PPP ka aprovuar projektin me 16 prill 2018.
Procedurat për Kualifikim janë shpallur më 19 qershor 2018. Afati i fundit për dorëzim të aplikacioneve ka qenë më 23 korrik 2018. Afro 30 kompani i kanë tërhequr formularët, kurse kanë konkuruar gjithsej 6 kompani/konzorciume. Më 16 tetor 2018, ka përfunduar procedura e përzgjedhjes së kompanive të kualifikuara.
Ishin kualifikuar 4 kompani: Best in Parking Holding AG; NUHA Bauunternehmun GMBH & Co KG &Qamili GBR”Alba Clean”; Jaha Company & Ronstruzioni Spa; AL trade Holding& Exfis Sh.p.k & NTSH Profitech.
Kërkesën për propozim është shpallur më 29 nëntor 2018. Afati ka qenë deri më 21 janar 2019, por me kërkesë të Operatorëve Ekonomik është shtyrë deri më 5 shkurt 2019. Kanë konkurruar 2 kompani:
NUHA Bauunternehmun GMBH & Co KG &Qamili GBR”Alba Clean”; Jaha Company & Ronstruzioni Spa.
Ishin tërhequr (apo nuk kanë vazhduar konkurrimin) 2 kompanitë tjera që ishin kualifikuar në fazën e parë: Best in Parking Holding AG dhe AL trade Holding& Exfis Sh.p.k & NTSH Profitech.
Projekti
Lokacioni ku është paraparë të ndërtohet projekti është në qendër (Zona 1) – përballë Fakultetit të Filologjisë. Sipërfaqja në dispozicion është 14,000 m². Ndërtimi do të bëhet pa tuba nëntokësorë të ujit dhe kanalizimit, gjë që lehtëson procesin e ndërtimit. Parashihet ndërtimi i së paku 500 vendparkimeve. Ndërtimi i një parkingu nëntokësor deri në 2 nivele.
Hapësira mbi sipërfaqe është paraparë të shfrytëzohet si park i mirëmbajtur për publikun. Sipërfaqja duhet të ketë 70% – 80% hapësirë të gjelbër dhe një fontanë, me drurë të rritur, të vendosur kudo që është e mundshme. Shtigjet për këmbësorë duhet të krijohen për të lidhur rrugën “George Bush” me Fakultetin e Filologjisë dhe ndërtesat tjera, si ndërtesa e RTK-së dhe Biblioteka Kombëtare.
Dyqanet nuk mund të ndërtohen në sipërfaqe. Megjithatë, në perëndim të lokacionit, në drejtim të trotuarit të rrugës “George Bush”, komuna ka shkruar në projekt se është e përshtatshme për ndërtimin e dyqaneve. Këmbësorët duhet të kenë qasje të lehtë në dyqane. Fasadat e dyqaneve duhet të jenë uniforme.
Topografia do të përcaktojë numrin maksimal të dyqaneve që mund të ndërtohen.
Investimi pritet të jetë 10 – 10.5 milionë euro. Kohëzgjatja e Projektit: 35-40 vjet.
Ky projekt nuk është mirëpritur nga qytetarët, pasi Komuna ka pak hapësira të gjelbërua dhe nga ato do të zhdukën drunjtë disa vjeçar.