Dështon të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren
Shkak për mos mbajtjen e seancës së paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte mungesa e të akuzuarit Musliu dhe mbrojtësve të tij, Blend dhe Gent Gjini.
Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi bëri të ditur se i akuzuari dhe avokatët e tij nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre, edhe pse tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Prezent në sallë të gjykimit ishte prokurorja Ervehe Gashi, e cila propozoi që të zbatohet ligji, për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.
Në këto rrethana, shqyrtimi i radhës u caktua të mbahet më 18 shtator 2020 në ora 09:00, ku për atë seancë, gjykatësja Elezi tha se për të akuzuarin do të lëshohet urdhëresë për sjellje në gjykatë.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016 e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.