Sa do të jetë çmimi dhe kur nis testimi në privat për koronavirus- nga MSH japin detajet e fundit
Në Kosovë së shpejti nuk do të jetë vetëm Laboratori i Mikrobiologjisë Humane i Institutit të Shëndetit Publik që do të ofrojë shërbime të testimit për koronavirus.
Bazuar në planin për rritjen e testimeve për COVID-19 që u miratua nga Qeveria javën e kaluar dhe nënshkrimit të dy udhëzimeve administrative nga ministri Armend Zemaj për kryerjen e testimeve në laboratorë të institucioneve shëndetësore të sektorit privat, licencimi për testim dhe testimi shpejt do të fillojë edhe në ato klinika.
Klinikat private do të bëjnë testime të njohura si serologjike, e të cilat do të përcaktojnë nëse pacienti e ka pasur më herët virusin, bazuar në analizimin e mostrave të gjakut.
Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për FaktePlus kanë konfirmuar se ka filluar interesimi i tyre për t’u licencuar.
“Kanë filluar të interesohen dhe të njoftohen për procedurat”, ka thënë për FaktePlus Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri.
Gjatë ditëve të fundit, qytetarë të shumtë kanë raportuar se laboratorë të ndryshëm privatë kanë filluar të kryejnë teste për koronavirus në mënyrë ilegale.
Testet sipas njoftimeve të qytetarëve por edhe reklamimeve në rrjete sociale, bëheshin edhe me metodën RT-PCR (testi përmes strishos së hundës që tregon nëse është virusi në trup) edhe me atë rapide (të cilët e japin rezultatin për pak minuta). Për këtë Ministria e ka denoncuar edhe rastin ndërsa qytetarëve u janë marrë deri në 120 euro, raporton FaktePlus.net
E Hoti i pyetur për çmimet potenciale të cilat do të ofrohen për t’i kryer këto teste, ka thënë se këto përcaktohen nga ligji i tregut, porse nuk e përjashtoi ndërhyrjen nga MSH-ja.
“Çmimet në treg rregullohen me ligje të ekonomisë së tregut, por do të insistohet që të ketë një harmonizim të tyre”, u shpreh ai.
Ministri Zemaj jep ‘dritën e gjelbër’ për kryerjen e testeve të Covid-19 në klinika private
Ndryshe, udhëzimet administrative të nënshkruara dje është bërë e ditur se do të përcaktojnë llojin e institucioneve që mund ta ofrojnë këtë lloj të testimit, kushtet që duhet t’i ofrojnë ato përfshirë hapësirën, pajisjet, llojet e testimeve si dhe raportimin e tyre në baza ditore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Siç thuhet në njoftim, institucionet të cilat do të licencohen për këto lloj testimesh duhet të raportojnë në IKSHPK për llojin e testimeve të kryera, prodhuesin e testeve, instrumentin/aparatin me të cilin është kryer testi si dhe komentimin profesional të rezultatit të testimit nga specialist.
Përndryshe, qytetarët e Kosovës tash e disa ditë nuk po munden të dalin as në shtete të rajonit si Maqedoni e Mal të Zi, pa test negativ për koronavirus. Ndërkohë Gjermania nuk po i njeh testet e kryera në IKSHP./FaktePlus/