Shërohen nga koronavirusi 16 zyrtarë të SHKK-së, pozitiv janë edhe katër të tjerë
Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, me COVID-19 janë prekur 20 zyrtarë korrektues.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi ka thënë se aktualisht të infektuar me COVID-19, janë katër zyrtarë.
“Aktualisht katër zyrtarë korrektues janë pozitiv me COVID-19 dhe janë në vet izolim”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë po ashtu se janë shëruar edhe 16 zyrtarë korrektues.
E zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi për Telegrafin ka dhënë detaje se nga cilat qendra korrektuese janë katër zyrtarët e infektuar me COVID-19.
“Katër zyrtarët e infektuar janë nga Qendra Korrektuese në Lipjan, Gjilan, Mitrovicë dhe Pejë”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, që nga paraqitja e rasteve të para (13 mars) e deri tani në Kosovë janë infektuar 5 mijë e 118 persona, 2 mijë 370 prej tyre janë shëruar.
Nga virusi COVID-19, në vendin tonë kanë humbur jetën 108 persona, të cilët kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.