Shqipëri – Operohet nga zemra pacientja e parë me Covid
Një 56-vjeçare e infektuar me Covid është pacientja e parë që i është nënshtruar një ndërhyrjeje në zemër. Ekipi i kardiokirurgëve ka bërë të mundur që gjithçka të shkojë mirë.
“Është operacion rutine. Ajo që e bën të veçantë këtë operacion është që është kryer për herë të parë në Shqipëri nga një paciente Covid pozitiv”.
Gruaja është paraqitur në spital me shqetësime të zemrës. Ajo dhe stafi që realizoi ndërhyrjen nuk ishin në dijeni se pacientja ishte e prekur nga koronavirusi, por respektimi i protokolleve ka bërë të mundur që asnjë të mos infektohet prej saj.
“I gjithë stafi mjekësor u testuan dhe dolën negativ për Covid. Kjo falë masave që ne marrim sigurisht për çdo pacient që ne operojmë, sepse ne i konsiderojmë të gjithë pacientët sikur të jenë pozitivë dhe mbrojmë veten tonë, por mbrojmë edhe pacientët”.
Kardiokirurgu Veshti tregon se gruaja është transferuar në Shërbimin Infektiv pas realizimit me sukses të ndërhyrjes.
Ndërsa në Shërbimin e Kardiokirurgjisë, shërbimi ndaj pacientëve nuk është ndërprerë, por mënyra e organizimit është përshtatur me masat anticovid.
“Aktualisht ne bëjmë dy operacione në ditë, por duke mbajtur një rregull të brendshëm, ku nëpër dhoma njerëzit nuk kanë kontakt të afërt dhe dhomat që kanë qenë dikur, mund të qëndronin me 3-4 pacientë, qëndrojnë 1 apo 2 pacientë. Në dhomat dyshe qëndron vetëm një pacient. Infermierët dhe gjithë stafi është absolutisht me maskë dhe i mbrojtur”.
Ajo çfarë mjekët kërkojnë me ngulm është jo vetëm përdorimi i maskave dhe ruajtja e distancave, por edhe shmangia e grumbullimit të familjarëve të pacientëve në dyert e spitaleve.
56-vjeçarja është një rast i rrallë edhe për vetë mjekët. Këtë të martë ajo ka lënë mjediset e Spitalit Infektiv pasi është shëruar jo vetëm nga zemra, por edhe nga koronavirusi./tvklan