Time Kadriaj-VV-së: E përdorët pandeminë për protagonizëm
Deputetja e Aleancës për Ardhmëinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19 nga Qeveria Kurti dhe qeveria aktuale Hoti.
Ajo ka kritikuar Qeverinë e kaluar Kurti, e cila, sipas deputetes Kadriaj, ka përdorur situatën pandemike vetëm për protagonizëm e reklamë. “Më lejoni vetëm t’ua prezantoj të vërtetën e Kosovës në krahasim me botën sa i përket menaxhimit të pandemisë në Qeverinë e kaluar dhe në këtë qeveri krahasuar me parametrat vlerësues të worldmeters, faqe e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë dhe e cila shfrytëzon të dhënat e OBSH-së për 213 shtete te botës.
Ndonëse Kosova nuk është anëtare e OBSH nuk do të thotë që ne të mos studiojmë dhe analizojmë shkencërisht statistikat tona dhe t’i krahasojmë me parametra botëror, nuk do te thotë që të fshihemi nga e vërteta dhe të manipulojmë e mashtrojmë qytetarët tanë”, tha ajo në Kuvend.
Kadriaj ka thënë se situata në kohën e qeverisë Kurti, situata nuk ka qenë ashtu siç është thënë. “Sa i përket sëmundshmërisë, përhapjes së infeksionit me Covid 19, Kosova renditej në vendin e 79 kurse sot është në vendin e 56 çka i bie jemi më mirë për 23 vende. Kurse sa i përket vdekshmërisë deri më 30 maj Kosova ishte në vendin e 74 ndërsa tani gjendet në vendin e 59 qe i bie se jemi më mirë për 15 vende në renditje”, ka thënë ajo. Ajo ka vazhduar.
“Ndërsa sa i përket numrit të testimeve në 1 milion banorë ishim në vendin e 116, kurse sot jemi ne vendin e 101 që i bie jemi më mirë për 15 vende ne renditje të shteteve të botës me numër të testimeve”, theksoi ajo. “Kjo është e vërteta e menaxhimit te pandemisë ne Kosove. Kur është ne pyetje shëndeti publik i qytetareve tanë, kur është në pyetje jeta e tyre nuk guxoni të manipuloni politikisht me të vërtetën. por duhet ta mbroni atë dhe të ndjeni përgjegjësi te kontribuoni në përmirësim te situatës”, theksoi deputetja Kadriaj.
Ajo, po ashtu, ka thënë se VV kishte filluar me lehtësimin e masave në kohën kur s’kishet ligj për Covid-19, që sot kërkohet aq shumë nga VV. “Qeveria Kurti, ka filluar me lehtësimin e masave kundër coronavirusit në Kosovë në fazën e parë më 4 maj, fazën e dytë më 18 maj dhe fazën e tretë më 1 qershor, pa e miratuar Ligjin Anti-COVID-19, pa e analizuar mirë situatën e rënduar, ndërsa edhe shtetet me të fuqishme si SHBA tek në mes të qershorit filluan aplikimin e fazës së parë, ndërsa tek ne pikërisht LVV në atë periudhë organizonte protesta me motive politike.
Bile në ato tubime politike mbajti fjalim edhe ish- ministri Vitia i cili u zhvesh nga petku i mantelbardhit sapo la pozitën. Nga ai tubim filloi gjithçka për mbrapsht sa i përketë rrëshqitjes nga duart e situatës me pandeminë”, tha ajo.