Borell: Marrëveshja Kosovë-Serbi është vendimtare edhe për BE-në
Shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë dialogu Kosovë-Serbi ka synim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Ka thënë se po lehtësojnë një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore.
Ai ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtare për BE-në.
“Kjo marrëveshje është vendimtare për popullin e Kosovës dhe Serbisë, për perspektivën evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Kjo marrëveshje është vendimtare për BE-në”, ka deklaruar ai.
Sot, Kryeministri Avdullah Hoti do të mbajë një takim virutal me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja.
Borell tregon edhe synimet e këtyre takimeve që pritet të vazhdojnë tutje.
“Synimi është i qartë është që të kthehemi në punën serioze dhe intensive për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve. Bashkimi Evropian ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë që ta mbështesë dhe të lehtësojë gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore”, ka thënë Borrell në një videokonferencë.
Borell ka thënë se procesi nuk është i lehtë por po mundohen të ndihmojnë dialogun për të arritur një marrëveshje përfundimtare mbi pragmatizëm dhe kompromis.
“E dimë që nuk është proces i lehtë, por është urgjencë që të punojmë për stabilitet për hir të së ardhmes. Kërkojmë kurajën politike të të dy palëve, angazhim në frymën e pragmatizmit dhe kompromisit. Kurrë s’ka qenë e lehtë të gjendet zgjidhje, por kjo është pse jemi këtu, që të provojmë përsëri”.
Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) ka parashikuar që sot të zhvillojë një video-konferencë mes kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian do të rifillojë në Bruksel në formën e video-konferencës. Do të jetë ky takimi i parë i nivelit të lartë, pas ndërprerjes së dialogut në vitin 2018. Ndërsa takimi i drejtpërdrejt i nivelit të lartë në Bruksel do mbahet të enjten më 16 korrik”, thuhet në njoftimin e EEAS.
Në këtë takim të ndërmjetësuar nga Miroslav Lajçak do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Të premten u mbajt konsultimi i Hotit dhe Vuçiqit, i organizuar nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel, i cili përfundoi pa ndonjë sukses.
Diskutimi i sotëm do të drejtohet nga Brukseli prej vet Borrellit, i cili do të jetë i shoqëruar nga Lajçaku. Ndërsa marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë Vuçiq nga Beogradi dhe kryeministri i Kosovës Hoti nga Prishtina.