Vulaj: Evropa e pazonja tek zgjidhja e çështjes së Kosovës – pa Amerikën ky proces nuk shkon askund
Ish-udhëheqës i Këshillit Shqiptaro-Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Martin Vulaj, ka thënë se Kosovës po i kanose një ciklon i vërtetë politik.
Në një intervistë për Gazetën Dielli, thotë se Europa ka manifestuar tendencën proserbe si në të kaluarën ashtu edhe tash.
“Kushtet e këtij cikloni konsistojnë në tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të acaruara nga mbarëvajtja e procesit dhe rrëshqitjen e Kosovës në duart e një Europe tradicionalisht pro serbe, këto të dyja të kombinuara me ngritjen e aktakuzave ndaj UÇK-së çka iu dhuron evropianëve edhe një mbulesë morale”.
“Evropa e ka manifestuar tendencën pro serbe si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Tërheqja e amerikanëve nga njëra anë dhe arsyetimi me aktakuzat ndaj UÇK-së në anën tjetër, mund t’i shërbejnë evropianëve si mbulesë për t’i mundësuar Serbisë hyrjen drejt Evropës dhe njëherit shansin për t’u arsyetuar përse po i pengojnë shqiptarët të ecin përpara. Në këtë rast ata e lënë Kosovën në një geto politike dhe i përdorin shqiptarët për të amortizuar influencën e Turqisë në Evropë”.
“Unë nuk pretendoj se kjo do të ngjasë por në këto momente, shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të përpiqen ta parandalojnë këtë variant që është realisht krejt i mundshëm. Për sa i takon rasteve të ngjashme në histori, mund të përmend konferencën e Berlinit kur Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ngritën pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, dhe pa pjesëmarrje të njëmendtë nga pala shqiptare, gjysma e trojeve u copëtuan. Sot aktakuzat kundër UÇK-së dhe luftërat e brendshme politike midis shqiptarëve e kanë dobësuar procesin negociator nga niveli ku duhej të ishte dhe kanë amplifikuar mundësinë që fati i Kosovës të vendoset nga Fuqitë e Mëdha pa pjesëmarrjen e plotë të shqiptarëve”.
Teksa Qeveria e Kosovës ka krijuar Këshillin e Ekspertëve për dialogun – Vulaj tregon se kishte sugjeruar krijimin e një ekipi negociator që përfaqëson partitë.
“Këshilli i Ekspertëve kryen funksione konsultuese dhe u krijua nga zyra e Kryeministrit për t’i dhënë mundësi të përftojë nga përvoja dhe ekspertiza në fusha të ndryshme. Ky organizëm nuk ka kompetenca vendim-marrje. Unë sugjerova krijimin e një ekipi negociator që përfaqëson partitë e mëdha shqiptare në parlament, dhe ku secili përfaqësues është pjesëmarrës në vendim- marrje. Krijimi i këtij organizmi sjell stabilitet politik pa zgjerim të qeverisë”.
Vulaj ka folur edhe për ambasadorët amerikanë Frank Wisner dhe Nicholas Burns të cilët kanë shprehur kundërshti për sa i takon mbajtjes së bisedimeve në Shtetet e Bashkuara duke argumentuar se kjo e thellon ndarjen midis Evropës dhe Amerikës.
“Z. Wisner dhe z. Burns janë diplomatë me shumë përvojë dhe besoj se e shikojnë këtë çështje nga një këndvështrim tradicional diplomatik. Faktet kane treguar se midis Evropës dhe Amerikës ekziston ndarje e thellë për procesin e paqes në Kosovë. Shpallja e Prokurorit Special (i cili e pranoi se synonte të ndikonte tek bisedimet) mund të shihet si manifestim i dallimeve mes tyre. E vërteta është se Evropa e ka pasur në dorë këtë çështje qysh nga mbarimi i luftës në 1999”.
Mes tjerash Vulaj thotë se Evropa e pazonja tek zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe se pa Amerikën ky proces nuk shkon askund.
“Pas 8 viteve pa rezultat, ishte Amerika që doli përpara dhe e shpalli Kosovën të pavarur. Përsëri Evropa kryesonte në procesin e “dialogut” që nga viti 2011 pa hapa të dukshme përparimi. Edhe pasi Kosova i përmbushi të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, Evropa nuk e mbajti fjalën as për atë. Në mënyrë konsistente Evropa është treguar e pazonja kur vjen fjala te zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe për ta mundësuar atë të ecë përpara drejt të ardhmes evropiane, Prandaj, pa pasur Amerika vendin drejtues ky proces nuk shkon askund”.
Vulaj ka folur edhe për fillimin e negociatave.
“Fakti qe takimi po mbahet ne nivelin e Makronit dhe Markel është diçka pozitive por historia e Evropës me Kosovën me bën te ndihem skeptik. Besoj se për te rikthyer besimin tek procesi dhe për të arritur sukses, duhen realizuar katër pika:
1. Miratimi i liberalizimit te vizave. Çështja e vizave nuk është e lidhur me dialogun por do jepte një sinjal të qartë se Evropa ka marre drejtim serioz dhe të koordinuar.
2. Ndërrimi i synimit te dialogut nga “normalizimi i marrëdhënieve” ne “njohje dypalëshe”. Kjo do harmonizonte pozitat e Evropës dhe Amerikës ashtu si paraqitet ne dy letrat e Presidentit Trump drejtuar presidenteve te Kosovës dhe Serbisë. Me këtë sigurohet edhe mundësia qe Kosova te arrije shtetësinë e vet dhe te mund te integrohet ne NATO dhe OKB dhe eventualisht ne BE. Me formatin e tanishëm kjo nuk është e qarte. Ne fakt, ka mundësi qe formati aktual te mundësoje Serbinë qe te plotësoje artikullin 35 te kërkesave te BE dhe t’i japë dore Serbisë te ece përpara dhe potencialisht te lere Kosovën aty ku është sot.
3. Evropa duhet të kërkoje nga 5 vendet anëtare te BE-se qe nuk e njohin Kosovën qe t’i japin siguri se ato do ta njohin ose, se, te paktën, do te abstenojnë nga procesi, qe te mos te bëhen pengese siç kane qene deri me sot edhe për çështjen e vizave.
4. BE duhet te japë një program për bisedimet, ku paraqiten çfarë pritet nga takimet ne momentin kur fillojnë dhe te shmangen sorollatjet e panumërta qe kane ndodhur me proceset e kaluara evropiane.
Mendoj se te katër pikat janë shume te realizueshme dhe do te siguronin jo vetëm besim tek procesi por edhe suksesin e tij. Pa u ndërmarrë këto veprime, kam ndjenjën se do hyjmë edhe një here ne rruge pa drejtim ku nuk ka as rezultate te qarta dhe as afate kohore”.