Reshiti: Prindërit dhe mësimdhënësit e shpëtuan mësimin online nga dështimi
Ymret Reshiti, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, për emisionin Amfiteatër ka thënë se mësimi online ka qenë program shumë i varfër, jo i pasuruar me të gjitha lëndët, ka qenë pasiv dhe jo intervaktiv. Sipas tij të vetmit që e kanë shpëtuar mësimin online nga dështimi kanë qenë angazhimi i tepruar i prindërve e përkushtimi i madh i mësimdhënësve.
“Program që u ka marrë shumë kohë prindërve dhe mësimdhënësve. Nxënësit nuk kanë ditë me i zhvillu detyrat, prindi është marrë me ta, fatbardhësisht ai prind që ka pasë njohuri e ka shpëtu nxënësin, çka me ju bo do familjeve që janë jo shumë të kualifikume në viset rurale. Unë kam tre fëmijë në shkollë fillore dhe kam pa në mesin e tyre i qortojke mësuesja nxënësit, mirëpo problemi ishte tek prindërit sepse prindi nuk i kuptojke detyrat e nuk i kryjke”, ka thënë Reshiti.
Ai ndër tjerash ka thënë që nëse edhe në shtator vazhdon e njëjta situatë dhe duhet që përsëri mësimi të mbahet në distancë, Kosova duhet të përgaditet më mirë, ngase programi që është ofruar deri tani ka qenë i pamjaftueshëm dhe i vështirë.
Kujtojmë që për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit Covid-19, Qeveria e Kosovës mori vendim për mbylljen e shkollave më 11 mars, kurse më 23 mars, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mori vendim për fillimin e mësimit online njohur ndryshe si mësim në distancë.