Nagavci: Qeveria Hoti po hesht përball Listës Serbe, kjo paraqet rrezik nëse vazhdohen bisedimet me Beogradin
Nagavci përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se deklarata e bërë dje është dëshmi për rrezikun që e pret Kosovën, nëse vazhdohet procesi i bisedimeve me Beogradin.
Nagavci tha se “Nga Qeveria Kurti, e pashantazhueshme dhe e pavarur nga Lista Serbe, tek Qeveria jolegjitime Hoti, e varur nga votat e secilit deputet të Listës serbe dhe e shantazhuar në secilin hap e veprim.
Postimi i plotë:
Komunikata e djeshme e Listës Serbe, partnerit të këtij koalicioni qeverisës jolegjitim, nuk mund të jetë as e rastësishme e as e paqëllimshme. Të vetëdijshëm për fuqinë shantazhuese që e ka secili nga dhjetë deputetët serb, duke ditur ambiciet e këtij koalicioni qeverisës për pushtet me çdo kusht, Beogradi përveç tjerash po përcjell edhe mesazhe politike.
Deklarata që “Serbët në “Kosovë dhe Metohi do të mbështesin presidentin Vuçiq në luftën e ardhshme politike dhe diplomatike për Kosovën dhe Metohinë”, është më e pakta, dëshmi për rrezikun që na pret nëse Kryeministri i koalicionit qeverisës të kësaj partie, pra zt.Hoti dhe Qeveria e tij, do të vazhdojnë procesin e bisedimeve me Beogradin.
Nga Qeveria Kurti, e pashantazhueshme dhe e pavarur nga Lista Serbe, tek Qeveria jolegjitime Hoti, e varur nga votat e secilit deputet të Listës serbe dhe e shantazhuar në secilin hap e veprim. Andaj dhe kjo Qeveri jolegjitime hesht pas deklaratave antikushtetuese të partenrit të tyre qeverisës, Listës Serbe.
Po duan të bëhen pjesë e procesit të dialogut me Serbinë, pa ditur agjendën, pa ditur përbërjen e grupit dialogues, pa ditur platformën, por duke e ditur se Zv.Kryeministri dhe një pjesë e Qeverisë Hoti kanë synim të përkrahin Serbinë në luftën diplomatike kundër Kosovës. Edhe pse kjo s’duket diçka e re e as shqetësuese për këtë Qeveri që tashmë heqi reciprocitetin e iu gjunjëzua Serbisë.
Por derisa ju zt.Hoti dhe qeveria jolegjitime edhe mund të toleroni këto qëndrime, ne të tjerët nuk mundemi e nuk do t’i tolerojmë.