Vdekjet e dyshimta në QKUK, Instituti Mjeko-ligjor fillon punën
6 persona të infektuar me koronavirus vdiqën në klinikat e QKUK-së në mesnatën mes të shtunës e të dielës dhe mëngjesin e të dielës. Vdekja e tyre u pa shumë e dyshimtë, shkaku që sipas burimeve të FaktePlus por edhe raportimeve të mediave tjera, ajo dyshohet se është e lidhur me prishjen e respiratorëve që ndodhi atë ditë, çka i pamundësoi të ndjerëve të furnizoheshin me oksigjen. E ky rast, tre ditë pasi ndodhi, nuk është zbardhur ende tërësisht ndërsa për ndriçimin e saj, kanë filluar hetimet.
Ndërkohë, analizat mjeko-ligjore të trupave të pajetë kanë filluar sot. Këtë e ka konfirmuar për FaktePlus drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gerxhaliu, i cili tha se analizat kanë filluar dhe pritet të përfundojnë sot.
“Kemi fillu me obduksionin. Dy raste janë kry, tash jemi duke punu edhe për dy raste të tjera. Nga dy nga dy, aq kemi kapacitet do të thotë. Sot planifikojmë gjatë ditës t’i përfundojmë të gjitha, në mos na daltë ndonjë komplikim”.
SKANDAL në QKUK, së paku 4 të vdekur sot nga prishja e respiratorëve
Megjithatë për rezultatet Gerxhaliu tha se duhet të pritet.
“Për rezultate duhet me pritë, ato marin kohë pak. Duhet me i çu në analiza, me i marrë organet e teknikisht merr kohë ajo, një muj kohë merr veç përgatitja”, bëri të ditur Gerxhaliu për FaktePlus.
Ndryshe, FaktePlus merr vesh nga burime të saj se vdekjet e dyshimta kanë lidhje me prishjen e respiratorëve e rrjedhimisht mungesën e oksigjenit në momente kritike për pacientët tashmë të ndjerë.
Megjithatë, drejtori i shkarkuar i ShSKUK-së, Basri Sejdiu pati thënë se të gjitha pajisjet e oksigjenit por edhe ato respiratore, kanë qenë në rregull atë natë në QKUK.
Ndërkohë, ministri Armend Zemaj bëri apel që të priten hetimet të tregojnë versionin e çështjes.
E policia e Kosovës tashmë i ka nisur hetimet për këtë cështje.
“RASTI NË KLINIKËN INFEKTIVE. Prishtinë 05.07.2020 – 01:00. Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.