A do të jenë pjesë e seancës së nesërme deputetët e infektuar me koronavirus-Flasin nga Kuvendi i Kosovës
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka paraparë që nesër të mbajë seancë plenare. Në formë online grupet paralamentare kanë vendosur që kjo seancë të zhvillohet nesër nën kushte të rrepta mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Infektimi me virus të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk i ka penguar që parlamenti të mblidhet përsëri. Kryesia ka përcaktuar agjendën e punës për këtë javë ku edhe ka shqyrtuar çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.
Kuvendi po ashtu do të vazhdojë punimet e dy seancave të papërfunduara, më 11 dhe 23 qershor 2020, si dhe më pas të mblidhet në seancë të re.
Pavarësisht situatës së krijuar me COVID-19, nga Kuvendi i Kosovës kanë thënë se seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit.
Nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës kanë pohuar se nën masa të rrepta do të zhvillohet kjo seancë.
Në bazë të kësaj, për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, nga Kuvendi i Kosovës kanë bërë të ditur se para hyrjes në sallë ekipi i IKSHPK-së do të realizoj kontrolle rutinore deputetëve.
“Seanca mbahet në sallën e Kuvendit. Është bërë dezinfektimi i saj dhe do të respektohet distanca sociale. Përdorimi i maskave është obligative. Para hyrjes në sallë, ekipi mjekësor i IKSHPK-së do të realizojë kontrollin rutinor të gjendjes shëndetësore të deputetëve që hyjnë në sallë”, bëjnë të ditur nga zyra për media duke shtuar se deputetët që kanë rezultuar pozitivë, nuk do të jenë prezentë.
Ndër të tjera nga Kuvendi i Kosovës kanë thënë se seanca do të mbahet me prezencë fizike të deputetëve në sallën plenare me kriteret e caktuara.
“Kryesia ka vendosur që seanca të mbahet me prezencë fizike të deputetëve në sallën plenare, duke i përmbushur kriteret e caktuara nga IKPSHK-ja”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun.
FaktePlus në lidhje me këtë, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë por që këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Sipas raportimeve në Kuvendin e Kosovës janë 4 deputetë të infektuar me koronavirus. Tutje institucionet e vendit kanë marrë masa shtesë në parandalimin e përhapjes së virusit.
Pas numrit të shtuar të të infektuarve dhe pacientëve që kanë vdekur në Kosovë nga koronavirusi, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të rikthejë një varg masash kufizuese.
Qytetet më të prekura të Kosovës janë Prishtina, Prizreni, Ferizaj e Vushtrria ku edhe do të kenë kufizim të lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Këto masa do të vlejnë edhe për gastronominë. Lokalet nuk do të lejohen të punojnë nga ora 21:00 deri në orën 05:00, dhe jashtë këtij kufizimi do të mund të punohet vetëm në hapësirat e hapura, apo me opsionin take-away.
Me masat e reja që janë aprovuar nga Qeveria, parashihet mbyllja e zyrave apo njësive në të gjitha institucionet publike dhe bizneset private ku ka raste pozitive.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ditë më parë ka reaguar duke thënë se rritja e konsiderueshme e rasteve me Covid-19, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve.
Aktualisht numri total i përgjithshëm i rasteve pozitive me Covid-19 në Kosovë është 3.886 me 82 raste të vdekjes.
Kontaktet me rastet pozitive duhet të vet-izolohen për 14 ditë në shtëpi dhe nuk duhet të kenë asnjë kontakt gjatë kësaj periudhe. Të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre, mbikëqyren nga shtabet Komunale, kontrollohen nga inspektorati, QKMF dhe organet e rendit./FaktePlus